Transmetuar më 08-02-2019, 11:48

Në vijim të takimeve të tij në rrethe, ditën e sotme kryedemokrati Lulzim Basha u ndal në qarkun e Kukësit ku u takua me banorët.

“Çdo padrejtësi që Edi Rama ka bërë ndaj Kukësit dhe kuksianeve, do e zhbëjmë që javën e parë të qeverisjes. Duke nisur me anulimin e traut që ka vënë për Rrugën e Kombit, për t’ju ndarë nga pjesa tjetër e Shqipërisë. Do të zerojmë taksën”, premtoi Basha.

Ai deklaroi se Edi Rama me Kukësin ka ndjekur politikë spastrimi dhe zbrazje dhe se ky është njeriu që hiqet si patriot i madh, por se e ka shprehur i pari, “a ka mundësi me e heq Kukësin e me ja çu Kosovës që të mos kemi votën e kuksianeve”.

Në këtë drejtim shtoi se ai e di që nuk e ka mbështetjen e kuksianëve dhe qëllimi i tij ishte zbrazja e Kukësit.

Ai tha se plani për ta shkretuar Kukësin do të marrë fund dhe një nga hapat kryesorë do të jetë rihapja e universitetit të Kukësit, duke i shkolluar fëmijët me kosto më të ulët.

“Do subvencionojmë praninë e pedagogëve, duke marrë përvojën më të mirë gjermane. Gjermanët i kemi në krahë dhe këtu do ndërtojmë modelin gjerman, që gjysmën e kohë studentët ta kalojë në universitet dhe gjysmën në praktikë. Do vijnë studentë edhe nga Prizreni! Do e kthejmë Kukësin në qendër të vërtet universitare të veriut të Shqipërisë”, u zotua Lulzim Basha.

Më tej tha se do të eleminohet taksa mbi karburantin, 300 lekë më lirë, prej ditës së parë në qeveri. Lidhur me energjinë elektrike tha se gjysma e familjeve në Kukës janë hequr nga ndihma ekonomike.

“Ne nuk mund të pranojmë që shteti t’i lë pa bukë, pa ujë, pa drita. Familjet që janë hequr me të padrejtë nga ndihma ekonomike do të kenë ndihmë ekonomike të mjaftueshme për bukë, ujë dhe drita. Por, dua t’jua them hapur se prioriteti ynë kryesor është punësimi, nuk është lëmosha.  Ose të vetëpunësohen ose punësohen në biznese”, tha ndër të tjera kreu i opozitës.

Sipas tij, vendi po qeveriset nga një grusht shteti, vetëm se grushtin e shtetit nuk e kanë bërë ushtarakët, nuk e kanë bërë serbët, por sipas tij, e kanë bërë një grusht oligarkët, një grusht kriminelësh me Edi Ramën.

Ai tha se problemin me tokën, shtëpive dhe pasurive të përmbytura e njeh me detaje, që kur kanë qenë në qeveri.

“Sot Kukësi nuk po komunikon me Tiranën. Ne duke risjellë Universitetin dhe duke zëruar taksën do t’i vijmë në ndihmë Kukësit për ekonominë dhe mirëqenies. Fatura totale e shpronësimit për afro 5 mijë familje është rreth 70 milionë euro, kjo nuk është fatura e talljes. Përse tallen me ju. Unë s’kam ardhur si kontabilist. Vitin që shkoi OSSH e ka mbyllur me 70 milionë euro fitim, por ka krijuar fitim edhe për kompani fantazëm ku gazetarë hetues të Sllovenisë thonë që janë familjarë të lidhur me Edi Ramën që për 8 orë ka bërë 4 milionë e gjysëm euro fitim”, u shpreh Basha.

Ai shtoi se banorët nuk dëmshpërblehen, jo sepse s’ka lekë, por sepse lekët t i merr Edi Rama.  Ai premtoi ngritjen e komisionit të posaçëm shtetëror për shpronësimin dhe dëmshpërblimin tua dhe se të gjitha vlerat e shpronësimit do të jenë me vlerë tregu.

“Do të bëjmë gjithçka që brenda dy viteve të para që buxheti i shtetit të bëjë rakordime me maskarallëqet që ju rrinë në qafë me kamatvonesat e më të gjitha të tjerat. Këto janë pikat e mia për kuksianët e pashpronësuar”, premtoi Lulzim Basha. /a.y/noa.al