Transmetuar më 07-02-2019, 13:58

Shtirej si kirurg plastik në Rumani duke prezantuar tituj specializimesh që i kishte blerë në shtete të ndryshme dhe që i kishte varur në studion e tij. Por ishte çdo gjë false.

Një 39-vjeçar italian nga Venezia, Matteo Politi, kishte krijuar një profil social ku promovonte aftësitë e tij, nën emrin e rremë Matthew Mode.

Por në fakt kirurgu i rremë kishte vetëm shkollën e mesme. Ai u demaskua nga një investigim gazetaresk, pas dyshimeve të disa infermiereve.

Mjeku i rremë edhe në vitin 2011 kishte përfunduar në telashe në Verona të Italisë, kur kishte qëndruar për afro një vit për të njëjtën akuzë. Por pas lirimit ai e riprovoi në Rumani, duke ndryshuar emrin dhe duke prezantuar tituj të rremë si kirurg plastik.

Ishin infermieret që bashkëpunonin me mjekun, ato që vunë në dyshim aftësitë e tij, duke vënë në dukje se ai nuk ndiqte as rregullat minimale të protokollit si larja e duarve dhe veshja e dorashkave për ndërhyrje, shkruan noa.al.

Madje për një ndërhyrje rutinë që zgjat zakonisht një orë, atij i ishin dashur katër orë. Kështu e përditshmja rumune “Libertatea”, arriti të demaskojë mjekun e rremë, duke bërë që ndaj tij të nisin hetimet. /a.y/noa.al