Transmetuar më 06-02-2019, 14:30
Arma e sekuestruar

Parandalohet një ngjarje e rëndë në Korçë, ku një person i cili ka tentuar të qëllojë me armë zjarri punonjësit e policisë, të cilët ndërhynë për të neutralizuar konfliktin e këtij shtetasi, është vënë në pranga.

Gjatë mbrëmjes së djeshme, e martë, është bërë një telefonatë ku është kërkuar ndihma e policisë në lagjen nr.4 në Korçë, pasi një shtetas në gjendje të dehur po konfliktohej me një tjetër, duke sjellë shqetësim tek banorët.

Në vendin e ngjarjes janë dërguar shërbimet e policisë, ku nga verifikimet ka rezultuar se G.Xh., 69 vjeç, në gjendje të dehur, ishte konfliktuar për motive të dobëta me A.H., 47 vjeç, të dy banues në këtë lagje duke u bërë shqetësim për banorët.

Por G.Xh., ishte larguar menjëherë për në banesë ku dyshohet se do merrte një armë zjarri.

Në momentin që efektivët e komisariatit të Korçës janë drejtuar për tek banesa e tij, 69 vjeçari u ka drejtuar armën e zjarrit automatik, duke tentuar të qëllonte në drejtim të punonjësve të policisë por fatmirësisht arma u bllokua duke mos realizuar qitjen.

Policia ka neutralizuar autorin duke bërë arrestimin e tij në flagrancë për veprat penale “Vrasja e punonjësve të Policisë së Shtetit, mbetur në tentativë” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve dhe i municionit”.

69-vjeçari, rezulton i dënuar më parë për veprat penale “Vjedhja” dhe “Dhuna në familje”.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua një armë zjarri automatik dhe 88 copë fishekë luftarakë, të cilat i posedonte pa leje, ndërkohë që në ngarkim të tij materialet iu referuan Prokurorisë. /a.y/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd