Transmetuar më 06-02-2019, 12:05
Sabri Laçi

Pedagogët e Fakultetit të Histori-Filologjisë do e mbyllë këtë javë me protestë.

Është kjo ajo që deklaroi ditën e sotme për mediat dekani i fakultetit, Sabri Laçi, në përfundim të mbledhjes së Asamblesë së pedagogëve.

Ai tha se Asambleja e pedagogëve është thirrur për situatën e krijuar në Fakultetin e Histori-Filologjisë dhe përgjithësisht në arsimin e lartë, në institucionet publike të arsimit të lartë në Shqipëri.

“Meraku i të gjithë ishte dhe mbetet sesi do të dilet nga kjo situatë, si do të reagojnë në vijimësi profesorati dhe institucionet drejtuese. U diskutua për gati një orë e gjysmë dhe dolën një sërë propozimesh. Asambleja ishte unanime në vendimmarrjen e sotme. U vendos që kjo javë të shpallet javë proteste nga stafi akademik i Historisë dhe Filologjisë dhe në vijimësi  në javët që vinë protesta do të vijojë një ditë në javë sipas një kalendari, javën e parë të hënën, të dytën të martë etj.,” u shpreh Laçi.

Ai shtoi se qëllimi i kësaj proteste do të jetë ndërgjegjësimi për gjithë problematikën e gjerë që ka arsimi i lartë në Shqipëri. /a.y/noa.al