Transmetuar më 05-02-2019, 16:16

Kryedemokrati Lulzim Basha ka shkuar derë më derë e ka bashkëbiseduar sot me banorët e Fushë-Krujës. Duke i prezantuar planin ekonomik të PD-së i pari i demokratëve premtoi vende të reja pune, çlirim të ekonomisë dhe zhdukje të krimit.

“Kam ardhur sot që t’ju them se mezi po pres që me ndihmën tuaj, me bashkimin e gjithë shqiptarëve të flasim për vende të reja pune, për uljen e çmimit të naftës, për mundësi dhe për mirëqenie, për familje që e marrin ndihmën ekonomike. Të jeni të bindur që kjo ditë po vjen. Kjo ditë do vijë sa më shpejt të rrëzojmë këtë qeveri kriminale dhe këtë kryeministër hajdut”,- tha Basha.

Ai shtoi se për situatën e krijuar përgjegjëse është qeveria e Ramës. “Nuk ka asnjë arsye tjetër veç keqqeverisjes, taksave të shtuara, çmimit të naftës, çmimit të energjisë që rritet. Miliarda euro që ju mbledh qeveria nuk kthehen në shërbime për ju. Gjysma e maturantëve s’do kenë mundësi të shkojnë në universitet për shkak të tarifave të larta. Kjo situatë duhet të ndryshojë. PD dhe unë kemi një plan ekonomik”,- vijoi ai.

Duke i ftuar qytetarët e Fushë-Krujës në protestë, Basha shtoi “ Le të jetë 16 shkurti dita e parë e një demokracie të vërtetë europiane dhe çdokush ta marrë vesh që në Shqipëri që pas 16 shkurtit do vendosin shqiptarët. Ka vetëm një forcë që mund ta zhbllokojë këtë situatë dhe kjo forcë janë shqiptarët e bashkuar më 16 shkurt në Tiranë për të deklaruar fundin e banditëve”.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd