Transmetuar më 05-02-2019, 12:09
Donika Prela

Partia Demokratike reagon pas konfirmimit në detyrë të kryeprokurores së Krimeve të Rënda, Donika Prela, e cila u gjet “e pastër” nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, në kuadër të procesit të vetingut.

Deputeti demokrat Enkelejd Alibeaj tha në një dalje për mediat nga selia blu se kush ka patur edhe fijen më të vogël të besimit se organet e vetingut do të përjashtonin nga sistemi i dejtësisë prokurorët dhe gjyqtarët e korruptuar e të lidhur me krimin, sot është bindur se vetingu funksionon si një vegël politike në duart e Edi Ramës.

Ai deklaroi se vendimi për mbajtjen në sistemin e drejtësisë të Donika Prelës është konfirmimi se reforma në drejtësi ka dështuar dhe se për të mbrojtur Edi Ramën nga drejtësia e vërtetë përbuzet dhe poshtërohet edhe Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit.

Sipas tij, vëzhguesit ndërkombëtarë gjetën se Donika Prela, brenda një kohe të shkurtër, ka shitur prona me çmim katër herë më të lartë sesa i ka blerë, duke vënë në dukje se me të ardhurat e deklaruara sipas tij, nuk justifikohej as blerja lirë e disa apartamenteve.

Po ashtu tha se vezhguesit ndërkombëtarë gjetën se bashkëshorti i Donika Prelës ka fshehur të ardhurat, ka punuar në të zezë, duke mos paguar taksat për shumë vjet, duke mashtruar shtetin shqiptar, me dyshimin e fortë të pastrimit të parave nga korrupsioni.

“Komisioni i vetingut, ndryshe nga rastet e tjera identike me të Donika Prelës, nuk i hetoi këto fakte, por mbajti në sistemin e drejtësisë një prokurore shërbëtore të Edi Ramës, me pasuri te pajustifikuara dhe qe i ka sherbyer krimit, nga Emiljano Shullazi tek banda e Avdylajve dhe deri tek shkaterrimi i dosjes se Saimir Tahirit. Vendimi për Donika Prelën është marrë në konflikt të pastër interesi dhe në shkelje të plotë të ligjit, pasi nga verifikimi i kamerave të sigurisë të prokurorisë së krimeve të rënda, Komisioni i Vetingut do të kishte zbuluar se Donika Prela është takuar rregullisht me anëtaren e trupit të saj gjykues, Valbona Sanxhaktari në periudhën nëntor dhjetor”, u shpreh Alibeaj.

Në vijim ai nënvizoi se mbajtja e Donika Prelës është rasti tipik kur drejtësia është e kapur nga krimi dhe politika në shërbim të Edi Ramës.

Ai tha se Partia Demokratike ka denoncuar faktin se me firmën e Donika Prelës, si drejtuese e prokurorisë së Durrësit, është liruar nga burgu drejtuesi i bandës së Avdyljave, Astrit Avdyli, në makinë e të cilit u gjet një armë pa leje janarin e vitit që shkoi.

Në këtë linjë nënvizoi se shërbimi kriminal që Donika Prela ka kryer për bandën që blinte vota për llogari të Edi Ramës në qarkun e Durrësit gjendet në dosjen ‘339’, si pjesë e përgjimeve të bandës së Avdylajve.

Alibeaj deklaroi se mbajtja e Donika Prelës në sistemin e drejtesisë është konfirmim se reforma në drejtësi ka vdekur dhe se drejtësia e re është një vegël që i shërben pushtetit e jo të vertetës.

“Së bashku, ne duhet t’i japim fund kapjes së drejtësisë që mbron politikanët e korruptuar, me lidhje kriminale. Data 16 shkurt është një mundësi që ne të mos pranojmë më një drejtësi që i shërben atij që ka më shumë para dhe më shumë pushtet”, tha në mbyllje deputeti demokrat. /a.y/noa.al

Vetingu, KPK konfirmon në detyrë Donika Prelën

Jacobs i ONM: Kryeprokurorja me burrë që pagat i merrte në dorë më la shije të keqe

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd