Transmetuar më 04-02-2019, 23:32

Fenomeni i kultivimit, prodhimit dhe trafkimit të drogës në Shqipëri ka prekur dhe gratë e vajzat. Ato zënë afro 3% të toalit të proçedimeve të policisë në 5 vitet e fundit.

Gazetarja Mimoza Picari bisedoi në insitucionin e ekzekutimit të vendimeve penale në Tiranë, me disa prej 9 të dënuarave për këto vepra penale, nga 60 që vuajnë gjithsej dënimin, dhe sjell dëshmi të përfshirjes së tyre në trafik dhe kultivim.

Shumica janë vajza të moshës 20-30 vjeç. Kushtet e rënda ekonomike, në mjaft raste i kanë nxitur ato drejt fitimit të shpejtë të paligjshëm, por disa prej tyre janë përdorur nga trafikantët edhe si mburojë.

Zyrtarët thonë se po marrin masa për të parandaluar këtë fenomen, duke ju dhënë mundësi grave dhe vajzave në zona rurale, të orientohen drejt projekteve sociale dhe programeve bujqësore.

Përfshirja e grave dhe vajzave në fenomenin e kultivimit prodhimit dhe trafikimit të drogës në Shqipëri ka marrë përmasa shqetësuese. Statistikat e policisë tregojnë se në 5 vitet e fundit janë proçeduar afro 240 gra dhe vajza ose rreth 3% e totalit.

Sot në institucionin e ekzekutimit te vendimeve penale 325, vuajnë dënimin 9 gra dhe vajza për veprat penale të kultivimit prodhimit dhe trafikimit të drogës nga 60 që janë gjithsej. 27 vjeçarja Rudina Hoxha është nga Përrenjasi.

“Jam këtu për drogë. Kam një gocë të vogël, u mundova t’i bëj një jetë më të mirë, s’na eci. Kisha kokainë, do kaloja doganën për në Greqi”

“Kushtet ekonomike shumë të këqija me detyruan të bëja këtë vepër penale. Jetoja me nënën, ka ndërruar jetë tani. Unë 7 rrënjë mbolla, doja të vizitoja nënën time. Vetëm për nënën e bëra”, thotë një 47 vjeçare që kërkoi të mbetej anonim.

“ Para disa vitesh pata mamin sëmurë. Kërkoja punë nuk gjeja. Isha 15 vjeç. Spitali kërkonte 3 mijë dollarë. Një ditë fillova të merresha me shpërndarje kokaine dhe heroine. Prap do ta bëja për nënën time edhe po të kthehej koha pas, sepse kemi qenë shumë të varfër”, thotë 30 vjeçarjaSonila Dinoshi.

Avokati Genc Gjokutaj jep një vlerësim të përgjithshëm për këtë gategori grash dhe vajzash të përfshira në trafik dhe kultivim të drogës.

“Në një masë dërrmuese këto gra janë të papuna, pa mjete jetese, pa banesë dhe mbi të gjitha pa shpresë”.

Zv. Ministrja e Brendshme Rovena Voda, drejtuese e task forcës kundër kultivimit, prodhimit dhe trafikimit të drogës, thotë se shifrat e proçedimit të grave dhe vajzave për këto vepra penale janë në rënie.

“Këto gra dhe vajza, të përfshira në këtë aktivitet kriminal, janë kategori e dobët, por ka dhe vajza studente, Është një problem shoqëror përfshirja e grave dhe vajzave në këtë veprimtari”.

Mes të denuarve është edhe 23 vjeçarja Redona Demolli.

“Unë vazhdoja shkollën e lartë për gjuhë të huaj anglisht, frëngjisht në universitetin e Korçës. Jam zgjuar një mëngjes me gjëra të tjera në mendje dhe gjëja që nuk më kishte shkuar në mendje, ishte që unë do përfundoja në këtë pikë ku jam sot, e denuar nga gjykata 6 vite për trafikim të lëndëve narkotike”.

“Unë isha nisur në një udhëtim në Kroaci. Makina ku unë isha kishte lëndë narkotike, kanabis. S’kisha dijeni”, thotë një 27 vjeçare që kërkoi të mbetej anonim.

“Sigurisht janë kapur shumë, por dhe nga trafikantët është përdorur seksi femër, sepse dhe organet e ndjekjes dhe të zbatimit të ligjit kanë dyshuar tek meshkujt, tek femrat nuk është dyshuar. Femra fatkeqësisht është dhe protagoniste dhe viktimë. Është shtrënguar të hyjë në trafik. Shpesh bëhet marrëveshje, merre ti përsipër se dënohesh më pak, unë dal dhe të ndihmoj dhe ty të dalësh”, sqaron avokati Gjokutaj.

“Unë në fillim e mohova. Nuk tregova që isha me atë, thashë që është e imja, sepse mendova se mund t’ja hidhja më lehtë. Kur e pyetën atë ai tha s’di gjë. Unë, tha ai, nuk kam fare dijeni se çfarë kishte kjo në çantë. Deri në atë moment unë isha duke e mbajtur për vete fajin, duke thënë që është e imja, më pas e ktheva. Është e mija?!!! i thashë atij me nervozizëm- dhe ti nuk dije asgjë!!!. Jo ti e dije i thashë unë dhe ti e kishe. Dhe aty pastaj u implikuam që të dy”, thotë 23 vjeçarja Redona Demolli.

Nga një analizë e statistikave vihet re se në 5 vitet e fundit, numri i grave dhe vajzave është më i lartë në veprën penale të prodhimit të bimeve narkotike, afro 140 të proçeduara. Për avokatin Genc Gjokutaj kjo ka një shpjegim.

“Kanabisi pushtoi vendin. U kthye si kulturë bujqësore. Me kanabisin janë përdorur gjerësisht gratë. Në vjelje, ujitje prashitje, sepse është një bimë që do shërbim dhe kanë jetuar me atë.Madje andej nga Fieri, ai që kishte parcelën u dërgonte katering dhe ushqimin aty në parcelë”.

Gratë dhe vajzat janë parë si kategori vulnerabël, lehtësisht e shfrytëzueshme më pak e atakueshme, e parrezikuar ndoshta dhe kjo ka sjellë më shumë gra në prodhimin e drogës”, thotë Zv. Ministrja e Brendshme Rovena Voda.

Mungesa e shtetit sjell inkriminimin e shtetasit thotë avokat Gjokutaj. Një konstatimi, që zyrtarët i përgjigjen me marrjen e masave për parandalimin e përfshirjes së grave dhe vajzave në kultivim prodhim dhe trafikim, duke ju dhënë mundësi atyre të mos përfundojnë në rrjete kriminale.

“Jemi munduar me Ministrinë e Bujqësisë dhe Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mirqenies sociale të krijojmë mundësi për gratë dhe vajzat që janë një kategori e dobet, që do të thotë që janë të papuna, kryefamiljare. Kemi vënë theksin dhe tek pjesa sociale e ketij fenomeni. Po mundohemi të shkëpusim këtë idenë se tashmë mund të mbillet kanabis”, thotë Zv. Ministrja e Brendshme Rovena Voda.

Duket se kjo ide i ka rrënjët e forta, pasi shembujt se mbjella e kanabisit dhe shitja, ishin njësoj si e një kulture bujqësore, janë servirur nga gra dhe para trupit gjykues pa asnjë ndroje, spjegon avokati Genc Gjokutaj.

“Kishte ndodhur një konflikt për shkak të një borxhi dhe thirret dëshmitare gruaja e shtëpisë dhe i thonë na shpjego si ndodhi. Kjo i thotë se ai erdhi për të kërkuar borxhin që ne ja kishim shtyrë disa herë, nuk ja kishim dhënë, dhe ne i thamë pritna dhe kësaj rradhe sa të shesim drogën. Dhe kjo këtë e thoshte në Gjykatë”.

Të gjitha vajzat dhe gratë e dënuara për kultivim prodhim dhe trafikim droge shohin përtej këtyre mureve. Të pendurara, të gjitha ëndërrojnë ditën e parë të lirisë, por ka dhe nga ato që nuk dinë se çfarë do bëjnë me lirinë.

“As vetë nuk e di se çfarë do bëj, si do ta ndërtoj jetën nga e para ”, thotë një edënuar që kërkoi të mbetej anonim.

Dorina, një tjetër e dënuar shprehet:“E ardhmja ime… E ardhmja ime do jetë, të krijoj një familje. Nuk do jetë e lehtë në fakt pas gjithë këtyre viteve burg”.

“Nuk dua të jetoj në Shqipëri, ska prespektivë”, thotë një edënuar që kërkoi të mbetej anonim.

“Më ka vlejtur për një mësim shumë të mirë. Që nuk duhet të bëj më nga këto gjëra. Do marr vajzën dhe do iki në Greqi tek vëllezërit, nuk ka mënyrë tjetër”, thotë27 vjeçarja Rudina Hoxha nga Përrenjasi.

“E mendoj shumë shpesh atë ditën e parë dhe ajo gjëja që mendoj më shumë është se nuk dua të hipi në asnjë makinë, vetëm dua që të ec, të ec vetë të vrapoj vetë aty jashtë. Dua që të shkoj tek shtëpia ime. Të jem unë mami dhe babi. Dua të rri me ata të dy se e di qëjam kthyer në dhimbje për dy prindërit”, thotë23 vjeçarja Redona Demolli.