Transmetuar më 04-02-2019, 18:10

Kush i kërkoi Prokurorisë të nxjerrë emrat e viktimës së abuzimit seksual dhe të miturve të përfshirë?

Prokuroria e Durrësit me anë të një njoftimi të posaçëm zyrtar që bëri pasditen e sotme, thotë se nuk mund të publikojë emrat e personave të përfshirë në abuzimin seksual të Kavajës.

Nuk dihet kush ka kërkuar të publikojë në media emrat e vajzës së mitur dhe djemve të mitur të përfshirë në këtë ngjarje, gjithsesi noa.al, refuzoi të publikojë të dhëna që çojnë në identifikimin e tyre, që në fillesat e publikimit të kësaj ndodhie.

Në deklaratë, Prokuroria shkruan se për shkak të natyrës së veprës penale, personit viktimë që është e mitur dhe autorët që janë të gjithë në moshën 16 vjeç, rasti trajtohet nga prokurorët e seksionit për të mitur.

"Sa më sipër në respektim të të drejtave të të miturve, për mosndërhyrjen në jetën private dhe në mospublikim e të dhënave që kanë të bëjnë me rastin në fjalë dhe në respektim të detyrimeve që parashikohen në dispozitat ligjore për trajtimin e të miturve, kërkojmë nga ana juaj mirëkuptimin dhe zbatimin e këtyre dispozitave ligjore", thuhet në reagim.

Prokuroria siguron se në lidhje me ngjarjen e rëndë të ndodhur në Kavajë, ku e mitura pati marrëdhënie seksuale për disa javë rresht me disa nga shokët e klasës, se “rasti në fjalë po trajtohet me impenjimin e duhur dhe maksimal në zbatim të detyrës dhe në përputhje me normat dhe detyrimet që parashikon Kodi i Drejtësisë Penale për të Mitur”.

Ditën e sotme Gjykata e Durrësit dha masën e sigurisë burg për 7 adoleshentët e akuzuar për abuzimin seksual.

Adoleshentët akuzohen për marrëdhënie seksuale me të mitur. Pesë nga 7 të arrestuarit kanë mohuar akuzat e prokurorisë para trupës gjykuese, ndërsa dy prej tyre kanë pranuar se kanë kryer marrëdhënie seksuale me të miturën, por me dëshirën e saj.

Sakaq, personi i tetë nën akuzë, që dyshohet të jetë i dashuri dhe strumbullari i kësaj loje seksuale, është ende në kërkim. /noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd