Transmetuar më 04-02-2019, 11:49
Foto ilustruese, Sanatorium

Shënohet viktima e dytë në vend, si pasojë e gripit të derrit. Mësohet se një tjetër person ka humbur jetën ditën e sotme në spitalin universitar “Shefqet Ndroqi”, i njohur ndryshe si “Sanatoriumi”.

Viktima ka gjetur vdekjen si pasojë e problemeve të rënda me frymëmarrjen.

Sakaq gjatë së dielës, gjeti vdekjen po në “Sanatorium” një 48-vjeçar nga Elbasani.

Paraprakisht thuhet se Arben Sula ndërroi jetë si pasojë e gripit të derrit, ndërkohë që pritet konfirmimi prej analizave.

Mësohet se prej virusit AH1N1, siç njihet ndryshe gripi i derrit, dy persona të tjerë ndodhen në gjendje të rëndë.

Gripi i derrit është sëmundje të cilën e shkaktojnë lloje të ndryshme virusesh të cilët te derri janë endemikë. Virusi H1N1, i tipit A, nuk transmetohet nga konsumimi i mishit apo kontakti me derrin, por transmetohet nga njeriu tek njeriu, njëlloj si gripi i normal, pasi është një kombinim i gjeneve të virusit të derrit, të shpendëve dhe njeriut. Ky virus konsiderohet vdekjeprurës. Gripi i derrit ka simptoma të ngjashme me gripin e zakonshëm. /a.y/noa.al