Transmetuar më 02-02-2019, 12:11

Në takimin e sotëm me studentët e Mjekësisë, Kryeministri nuk la pa shigjetuar pedagogët. Ai tha se Universiteti është autonom dhe se autonomia nuk është liria e pedagogëve që të bëjnë grevë dhe ti lënë studentëve rrugëve por është përgjegjësi për ti dhënë mësim studentëve për të cilën paguhen.

Sipas tij, autonomia nuk është liri për të thënë “unë ngujohem dhe në emër të një pakice pengoj shumicën të marrë mësim por është përgjegjësi”.

Për këtë shtoi se policia nuk ndërhyn në universitet, pikërisht sepse ka autonomi.

“Kush janë këto që ju pengojnë të drejtat tuaja? Kaq pula jeni? Shkoni dhe kërkoni të drejta tuaja? E pabesueshme ju pas protestës që bëtë prapë nuk kuptoni forcën tuaj. Kjo që po ndodh është kërcënim i drejtpërdrejtë për të humbur vitin. Ju të pranoni që një grusht njerëzish dhe një grusht pedagogësh t’ju kërcënojnë dhe t’ju thonë se jeni tradhtar. e të mos mblidheni bashkë për të qëndruar tek dera dhe për të kërkuar llogari deri kur të hapet dera për të shkuar në shtëpi të rektorit dhe për ti thënë dil jashtë. Dili zot vetes tende”, u shpreh Rama.

Duke iu referuar pedagogut Mark Marku, dikur deputet i Partisë Demokratikëve, ai tha “E keni më të lehtë të protestoni ndaj meje, se ndaj cave Mark Mark aty, që kanë hallet e tyre. Unë nuk shkoj dot të hap derën e universitetit atje. Më vjen shumë mirë që e keni marrë vesh që unë nuk të vras, unë maksimumi, ju çoj ndonjë shigjetë me fjalë, të dëgjoj dhe këtu ke të drejtë, më pëlqen, s’më pëlqen, më vure në pozitë apo jo, unë jam këtu të të shërbej”.

Në vijim ai iu kërkoi studentëve që të pyesin, “Mark Markët me shokë”, a janë dakord me vlerësimin e titujve akademikë dhe të thonë si dhe kur e duan.

“Por këtë nuk e thonë këtë. Keni parë që thonë të ndalohet denigrimi i pedagogëve, por për çfarë? A janë dakord ata që të ndalohet tregtia e librave të pedagogëve për notën? Dhe pyetja e tretë është, a janë dakord që çdo vit studentët të bëjnë një vlerësim të performancës së pedagogëve, e përdor gjithë bota? Aty do të kuptojmë nëse e bëjnë grevën për ju, apo se nuk duan të përgjigjen për këto tre pyetje. Këta që bëjnë greva dhe u mbajnë peng ju duhet tu japin përgjigje këtyre pyetjeve”, deklaroi Edi Rama. /a.y/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd