Transmetuar më 01-02-2019, 13:32
Ministrja Shahini gjate deklarates

Ministrja e Arsimit, Besa Shahini doli në një komunikim për mediat ditën e sotme, për të informuar lidhur me takimin që pati me një përfaqësi pedagogësh.

“Nuk besoj se bojkoti dhe ultimatumet janë mjetet e nevojshme, ndaj kemi filluar një proces të mirëfilltë dialogu, dhe do të vijojmë rrugën për përmirësimin e eksperiencës studentore”, u shpreh Shahini.

Kjo deklaratë e saj vjen pasi pedagogët i lanë afat deri në mbrëmje ministres, ku në rast të mos mbajtjes së një qëndrimi për kërkesat e tyre, paralajmëruan se mund të shkojnë deri në grevë.

Në këtë drejtim ministrja tha se, një grup pedagogësh i kanë nisur një letër përmbledhëse lidhur me diskutimet që kanë patur me kolegët dhe për këtë shtoi se i ftoi në takim, për përmirësimin e cilësisë së arsimit.

Ajo deklaroi se i përgëzoi pedagogët për përpjekjet e bëra dhe i nxiti që të aktivizojnë asambletë e pedagogëve, pasi sipas saj. nuk janë mbledhur asnjëherë në tre vitet e fundit.

Shahini tha se fuqizimi i strukturave ekzistuese në universitete, është mënyra më e mirë për arritjen e disa zgjidhjeve, duke nënvizuar se zgjidhja nuk është gjithmonë tek ministria, por tek vetë universitetet.

“I ftova për ti ballafaquar dhe shpjeguar Paktin për Universitetin, por edhe pse nuk u dakordësuam në fund, takimi shërbeu për të shuar disa keqkuptime që pedagogët kishin për paktin. Rëndësi ka që shumica e stafeve akademike dhe studentëve janë mbështetës të Paktit për Universitetin, i cili do jetë një kontratë mes qeverisë, stafit akademik dhe studentëve për të çuar përpara idetë më të mira”, tha ndër të tjera ministrja e Arsimit. /a.y/noa.al

Pedagogët: Takimi me ministren jorezultativ! Afat deri në darkë, më tej marrim vendim