Transmetuar më 01-02-2019, 12:14

Princi George i Anglisë, bën të flitet vazhdimisht rreth tij. Djali i Kate Middleton dhe princit William, është bërë protagonist i një episodi të këndshëm, i cili po bën xhiron e rrjeteve sociale.

Kjo pasi ai i është prezantuar një kalimtareje, me një emër të rremë, duke menduar se nuk do e pikasnin, me naivitetin e një fëmije, pa e ditur se është fëmija më i njohur në gjithë Britaninë e Madhe.

Mediat vendase shkruajnë se ngjarja ka ndodhur në Berkshire, pranë shtëpisë së prindërve të Kate.

Vogëlushi ishte duke shëtitur përgjatë lumit me motrën Charlotte dhe gjyshen Carole, kur u përball me një kalimtare, e cila kishte një qen me vete, shkruan noa.al.

Gruaja tregoi për mediat se, “Një punonjës i sigurisë më kërkoi që të mos ju bëja fotografi fëmijëve, gjë që unë nuk e bëra. George nisi të përkëdhelte qenin tim dhe më pas nisëm të bisedojmë. E pyeta vogëlushin se si quhej, ndonëse e dija shumë mirë. Ai mu përgjigj si për habinë time ‘Më quajnë Archie’. Nuk e di pse u prezantua kështu”.

Nuk dihet se pse i erdhi në mendje ky emër princit të vogël, por naiviteti i tij, ra dukshëm në sy. /a.y/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd