
Kryedemokrati Lulzim Basha thotë se në seancën e djeshme të parlamentit u konsumua batareja vulgare e një njeriu i cili sipas tij, ndonëse është në krye të ekzekutivit, nuk ka çfarë të ofrojë më, përveç sharjeve dhe banalitetit.
“Për biznesin Edi Rama ofron më shumë se kaq! Ofron taksa të rritura dhe klimë të rënduar. Mediat tregojnë me gisht rrënjët e së keqes, se kemi një qeveri që buron nga votat e blera me paratë e krimit. Këtë u mundua Edi Rama të fshijë nga vëmendja mediatike me një sjellje vulgare”, u shpreh Basha ditën e sotme, në një takim me shoqatat e biznesit dhe sipërmarrësit, për prezantimin e shtyllave kryesore te programit ekonomik të Partisë Demokratike.
Për kreun e PD, qeverisja i është dorëzuar në total krimit të organizuar dhe oligarkisë dhe se vendimet që marrin, janë vendime që favorizojnë vetëm një grusht njerëzish, ku pasojat ndjehen çdo ditë.
Sipas tij, vendi është në kolaps dhe dëmi më i madh është vrasja e shpresës, pasi rinia është e papunë, e pashpresë dhe që shpresën më të madhe sheh largimin.
Ai tha se sipërmarrja vuan çdo ditë dhunën fiskale, gjobëvënëse e korruptive të burokracisë inspektuese banditesko-politike të Edi Ramës.
Në këtë drejtim shtoi se investimet e huaja janë në rënie pikiatë pas mbarimit të disa projekteve të mëdha, të trashëguara nga qeverisja demokrate dhe se të huajt që tentuan të investojnë në Shqipëri u goditën nga sistemi oligarko-banditesk i Rilindjes.
“Ata janë larguar dhe po vazhdojnë të largohen. Investitorë të rinj të mëdhenj nga Perëndimi as që po duken. Me përfundimin e TAP dhe Kaskadës së Devollit dhjetëra mijëra shqiptarë do të humbin vendet e punës. Fermerët vuajnë nga konkurrenca e pandershme e sistemit oligarkik të importeve, grumbullimit, shitjes dhe nuk marrin asnjë ndihmë shtetërore. Ajo shkon vetëm në xhepat e oligarkëve dhe zyrtarëve të korruptuar”, deklaroi Basha. /a.y/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





