
Një pjesë e studentëve të Fakultetit të Drejtësisë në Tiranë, ata që janë kundër ngujimit, kanë vendosur të rikthehen në auditorë duke filluar nga dita e nesërme, por duke marrë “arratinë” në një gjimnaz.
Vendimi është publikuar edhe në faqen zyrtare të këtij fakulteti ku njoftohet se nesër mësimi do të fillojë në orën 14:00.
Studentët që vendosën t’i thonë jo bojkotit, do të zhvendosen në gjimnazin “Petro Nini Luarasi” pasi në ambientet e Fakultetit të Drejtësisë studentët e tjerë vijojnë ngujimin duke penguar zhvillimin e mësimit.
“Njoftohet i gjithë personeli akademik dhe studentët e ciklit të parë dhe të dytë të Fakultetit të Drejtësisë Universiteti i Tiranës, se nesër në datë 30 janar 2019, ora 14.00, rifillon procesi mësimor në ambientet e gjimnazit “Petro Nini Luarasi””, thuhet në njoftim.
Në këtë mënyrë, gjimnazi do të zhvillojë mësim gjatë gjithë ditës. Deri në orën 13.30 do të jenë nxënësit e kësaj shkolle dhe më pas, duke nisur nga ora 14 deri në mbrëmje, do të qëndrojnë studentët e Drejtësisë.
Ndërkohë nuk dihet se çfarë do të bëhet me nxënësit e këtij gjimnazi që zhvillojnë mësim dhe kurse edhe në orët e pasdites.
E sakaq, pjesa tjetër vijon rezistencën deri në plotësimin e të gjitha kërkesave. /k.k/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





