Transmetuar më 28-01-2019, 13:58

Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, ka bërë një lëvizje surprizë. Ai ka ankimuar vendimin e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, për zgjatjen e hetimeve me tre muaj.

Ish-ministri kërkon që hetimet të përfundojnë dhe të dërgohet dosja në gjykatë.

Sipas tij me vendimin e organit të akuzës nuk janë marrë parasysh rëndësia dhe vlera provuese e përgjigjeve që pritet nga letërporositë si dhe:

"Lidhjen e përgjigjeve me ndonjë fakt penal; mundësinë që këto përgjigje mund të ishin marrë më përpara nëpërmjet letërporosive qoftë nëpërmjet veprimeve të tjera hetimore dhe mundësinë se këto prova dhe përgjigje merren me afat më të shkurtër sesa afati 3 mujor i kërkuar nga Prokuroria për zgjatjen e hetimeve”.

Kërkesa e Tahirit për kundërshtimin e zgjatjes së hetimeve, është bërë ditën e sotme.

Pak ditë më parë u zgjat për herë të katërt, koha e hetimeve për ish-ministrin, i cili akuzohet si i përfshirë në trafikun e drogës.

Shtyrja e afatit u bë për shkak të disa verifikimeve shtesë ndaj ish-ministrit.

Saimir Tahiri është vënë nën hetim, si i dyshuar për lidhje me grupin “Habilaj” që merrej me trafik droge drejt Italisë.

Ai akuzohet se i krijonte lehtësi grupit në aktivitetin kriminal. /a.y/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd