Transmetuar më 27-01-2019, 12:39
Enkelejd Alibeaj gjate deklarates

“Bashkëpunimi me krimin dhe korrupsioni i përhapur ne çdo qelizë të qeverisë janë dy tiparet më dalluese të qeverisë së Edi Ramës. Por skema e sundimit të tij, është e paplotë, nëse lihen jashtë saj njerëzit e shërbimit sekret më të egër të Lindjes, Sigurimit të Shtetit”.

Është kjo deklarata e bërë ditën e sotme nga deputeti demokrat Enkelejd Alibeaj, i cili tha se sot se asi mori në qeveri të gjithë pasardhësit e Byrosë Politike, miq të afërt të tij, Edi Rama riktheu në poste të rëndësishme drejtues të Sigurimit të Shtetit.

Ai denoncoi se Policia e Shtetit sot drejtohet në të gjithë piramidën e saj nga ish oficere dhe bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit.

Deputeti demokrat tha se rasti i Prokurorit të Apelit të Krimeve të Rënda, Bujar Sheshi, “spiun i Sigurimit”, u emëruar në kundërshtim me ligjin, në mënyrë që Edi Rama dhe vegla e tij Arta Marku të kontrollojnë Këshillin e Lartë të Prokurorisë nëpërmjet shantazhit.

Në këtë drejtim shtoi se skema për të drejtuar shtetin që pretendon të anëtarësohet në Bashkimin Europian, me njerëz të Sigurimit të Shtetit, tani po funksionon edhe në Shërbimin Informativ Shtetëror.

Ai tha se Partia Demokratike disponon të dhëna se nën drejtimin e njeriut të Edi Ramës në shërbimin sekret, Helidon Bendo, të paktën 9 ish oficerë dhe operativë të Sigurimit të Shtetit janë emëruar në poste shumë të larta drejtuese në kundërshtimin me ligjin e promovimit në detyrë të personave që figurojnë në dokumentacionin e Sigurimit të Shtetit.

Deputeti demokrat deklaroi se lista jep të qartë emrat dhe detyrat e larta ku janë emëruar pas marrjes së shërbimit sekret nën kontrollin e Edi Ramës:

– Rafail Milo: ish- oficer i Sigurimit të Shtetit. Nga inspektor, ai emërohet Drejtor i Departamentit të Administratës në SHISH. Ka në varësi Drejtorinë Juridike dhe atë Ekonomike.

– Qerim Dedja: ish- oficer i Sigurimit të Shtetit, nga inspektor emërohet drejtor i Drejtorisë së Sigurisë

– Mevlud Matraku: ish- oficer i Sigurimit të Shtetit, punëtor operativ, kryesisht në Sarandë. Nga inspektor, është emëruar Drejtor i Performancës. Bën vlerësimin e të gjitha drejtorive të linjës informative operative.

– Vladimir Elezi: ish- punëtor operativ i Sigurimit të Shtetit është emëruar Drejtor në SHISH në Elbasan.

– Gëzim Bime: ish- oficer i Sigurimit të Shtetit nga inspektor, emërohet Drejtor kundër Krimit Ekonomik dhe Korrupsionit (drejtori e rëndësishme në punën operative)

– Ilir Tafa: ish- oficer i Sigurimit të Shtetit, emërohet Drejtor i Drejtorisë SHISH, në Durrës. Vëllai i tij është Afrim Tafa, ish Drejtor Policie, i cili është në listat e punonjësve të policisë, i implikuar në trafikun e drogës.

– Sokrat Mite: ish- oficer i Sigurimit të Shtetit, nga inspektor, emërohet zëvendësdrejtor i Departamentit të Kundërzbulimit.

– Agim Karralli: ish- oficer i Sigurimit të Shtetit, nga inspektor, emërohet Drejtor i Drejtorisë SHISH Tiranë.

– Rinald Serhani:- ish oficer i Sigurimit të Shtetit, emërohet Drejtor në SHISH.

Në këtë drejtim ai tha se për dy emrat e parë, Autoriteti i Dosjeve ka zbuluar dokumentacion të mjaftueshëm që i bën ata të papërshtatshëm për promovimin në detyrë, ndërsa për 7 të tjerët, ka prova të qarta në dosjet e tyre personale në SHISH se kanë qenë oficerë të shërbimit sekret të diktaturës.

“Sot kam një pyetje për çdo qytetar shqiptar: A besoni se rendi, drejtësia, siguria mund të garantohen nga njerëz që dikur na kanë torturuar dhe na kanë masakruar, na kanë mbajtur të izoluar si në kafaz? Partia Demokratike është e bindur se përgjigja e shumicës së shqiptare pergjigjen me një Jo të fortë! Sigurimi i Shtetit nuk mund të na japë as drejtësi, as rend dhe as siguri!”, deklaroi Enkelejd Alibeaj.

Ai e mbylli fjalën e tij duke thënë se shërbimi më i mirë që sot mund t’i bëhet vendit është që të largohet pa humbur kohë arkitektin e qeverisjes me Sigurimin e Shtetit. /a.y/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd