Transmetuar më 25-01-2019, 16:34

Një vendim shumë i rëndësishëm ai që ka ndërmarrë pronari kryesor i rrjeteve më të mëdha sociale në botë, Mark Zuckerberg.

Facebook, Instagram dhe WhatsApp do të shkrihen në një dhe mënyra e të komunikuarit nëpërmjet mesazheve private do të bëhet në formë të përbashkët.

Kompania e Zuckerberg njoftoi se gjithsesi aplikacionet do të vazhdojnë të jenë me opsionin për të qenë secila më vete, megjithatë komunikimi do të jetë në formë të përbashkët.

Kurse paralajmëroi se ky është vetëm fillimi i një procesi edhe më të madh, pa dhënë detaje të mëtejshme.

Kështu në rast se jeni duke komunikuar në aplikacionin WhatsApp, njëkohësisht mund të vazhdoni komunikimin në një nga opsionet e tjera, Messenger apo Instagram e po ashtu dhe për postimet dhe "story".

Kompania e Mark Zuckerberg, sikurse citon noa.al BBC-në e cila citonte sot The New York Times, tha se qëllimi i këtij projekti është përmirësimi i komunikimit ndërmjet përdoruesve të këtyre rrjeteve sociale që janë më shumë se 3 miliardë.

Duke nisur nga fundi i këtij viti me përfundim nga janari i vitit 2020 do të bëhet shkrirja e këtyre shërbimeve në një.

Gjithsesi mbetet ende e paqartë nëse aksesi i njëkohshëm do të lejojë që përdoruesit të marrin dhe japin mesazhe në një aplikacion të vetëm apo ato do të jenë të aksesueshme njëherazi në të trija.

Disa faqe të huaja interneti që trajtojnë çështjen e internetit, thonë se aksesi do të jetë i njëkohshëm.

Në vitin 2011, Facebook bleu Instagramin për 1 miliard dollarë amerikanë. Kurse në vitin 2014 bleu edhe WhatsApp për 19 miliardë dollarë. /noa.al/