Transmetuar më 24-01-2019, 20:45

Tanimë do të përballeni me çmimet më të larta nëpër klinika kur të shkoni për një shërbim dentar. Urdhri i Stomatologëve ka publikuar një listë me çmime dysheme që duhet të aplikojë tani e tutje çdo klinikë dentare.

Por publikimi i këtyre çmimeve do të thotë që edhe ata që kanë aplikuar çmime më të ulëta do t’i rrisin. Edhe ata që kanë patur këto çmime mund t’i rrisin edhe më shumë.

Këtë gjë e konfirmojnë edhe vetë dentistët.

“Per ne bëhet mirë, unë i kam më të lira çmimet se kaq, do i rris”, shprehet një dentiste.

Ministria e Shëndetësisë nëpërmjet përfaqësuesit të saj në Këshillin Kombëtar të stomatologeve ka votuar kundër kësaj liste.

Burime nga ministria thone se kjo listë çmimesh është e paaplikueshme pasi nuk është në tagrin e Urdhrit të bëjë një gjë të tillë.

Kreu i Urdhrit të Stomatologëve thotë se duke i rritur çmimet, do të rritet cilësia e shërbimit dentar.

Por a mund të funksionojë kjo në kushtet kur tregu stomatologjik është pothuasje jashtë kontrollit.

Ka vazhdimisht denoncime se për mbushje dhëmbësh apo implante janë përdorur shpesh materiale të një cilësie shumë të ulët, ndërkohë që çmimet kanë qenë shumë të larta.

Askush nuk i kontrollon pajisjet mjekësore dentare.

Tërhiqet Urdhri i Stomatologëve?

Sakaq, në një komunikatë që lëshoi orët e fundit Urdhri i Stomatologëve thuhet se në dentistri nuk ka asnjë ndryshim çmimesh me asnjë qindarkë.

“Mbi 90% e dentistrisë e ushtrojnë privatisht profesionin dhe janë të lire të ushtrojnë profesionin plotësisht të pavarur si në çmime dhe në koncept profesional. Jemi të detyruar të përgënjeshtrojmë një lajm të rremë dhe dashakeqës për shërbimin stomatologjik dhe Urdhrin e Stomatologut për çmimet e referencës të miratuar në Asamblenë Kombëtare të Urdhrit të Stomatologut me një pëlqim paraprak prej pjesës dërrmuese të dentistrisë shqiptare”.

Komunikata vijon: “Këto çmime reference krijojnë një rregullsi në tregun dentar dhe mbrojnë qytetarët nga kequshtrimi profesional në dentistri. Çmimet e referencës nuk kanë asnjë fuqi detyruese në tregun dentar, por ato janë thjeshtë orientuese. Urdhri i Stomatologut e shikon të domosdoshme të bëjë me dije qytetarët të tregohen të kujdesshëm në maksimum kur shohin çmime që anashkalojnë këto kritere pasi rrezikojnë dëmtimin e shëndetit të tyre nga dentistë që kriterin kryesor kanë vetëm fitimin”.