


Një shpërthim me eksploziv u shënua mbrëmjen e kësaj të marte në makinën e një mjeku në rrugën “Belul Hatibi” në kryeqytet.
Për pasojë mjeti tip “Benz”, me targa AA 441 OO, pësoi dëmtime të shumta, por fatmirësisht pa të lënduar në njerëz, për shkak se shpërthimi ndodhi gjatë kohës që makina ishte e parkuar.
Mësohet se eksplozivi ishte vendosur në pjesën e pasme, ku nga hetimet e kryera, dyshohet se eksplozivi është shpërthyer në distancë të afërt, me fitil zjarrpërcjellës.
Makina ishte parkuar nga i zoti në vendin ku ndodhi shpërthimi, teksa i zoti kishte shkuar në një xhami aty pranë, për të kryer ritualet fetare, duke qenë besimtar mysliman.
I zoti i mjetit, mjeku kirurg Dervish Hasi, i cili punon në një spital privat në kryeqytet, është marrë në pyetje në polici.
Para uniformave blu, ai ka mohuar që të ketë probleme personale apo edhe për shkak të profesionit, duke mos ditur se ku të drejtojë gishtin.
Megjithatë ai ka thënë se mjetin në të cilin u vendos lënda plasëse, ka vetëm një vit që e ka blerë, duke hedhur dyshime se mund të jetë ngatërruar shënjestra.
Nga ana e policisë hetimet janë në vijim, për të zbuluar autorët e ngjarjes si dhe motivin e vendosjes së lëndës plasëse. /a.y/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





