Ndërpritet ndeshja Tirana- Flamurtari, shkak shiu i dendur
Transmetuar më 23-01-2019, 18:10

Reshjet e shumta të shiut shtyjnë ndeshjen e parë të Kupës së Shqipërisë mes Tiranës dhe Flamurtarit.

Terreni i pushtuar nga ujë, detyroi arbitrin kryesor i takimit, Kreshnik Bajramaj të ftonte skuadrat në dhomat e zhveshjeve, në mënyrë që të merrnin një vendim për mbarëvajtjen e këtij takimit.

Pasi biseduan gjithçka me zyrtarët e takimit dhe drejtuesit e dy ekipeve, u mor vendimi që sot ishte e pamundur të luhej dhe gjithçka do të vazhdojë nesër në orën 13:00.

Pas ndërprerjes së takimit mes Tiranës dhe Flamurtarit, delegati i këtij takimi, Lusien Nurishmi, në një prononcim për “Supersport”, tregoi si u mor vendimi me zyrtarët dhe drejtuesit e dy ekipeve, dhe si do procedohet me ndeshjet e Tiranës dhe Flamurtarit në fundjavë, në Superiore.

“Shiu i madh ishte prezent që prej orës 16:00. Skuadrat dolën në nxehmje, dhe situata erdhi duke u përkeqësuar. Vendosëm të prisnim disa minuta, nëse intensiteti i shiut do binte. Morëm një vendim për ta filluar nesër ndeshjen, në orën 13:00, në minutën e 25-të, aty ku u ndërpre”, u shpreh ai.