Zhdukja e mistershme e futbollistit, Cana dhe Lenjani luten për Salan
Transmetuar më 23-01-2019, 17:19

Zhdukja e sulmuesit të Cardiff City, Emiliano Sala, ka tronditur botën e futbollit. Avioni me të cilin argjentinasi po fluturonte nga Franca drejt Anglisë papritmas humbi nga radarët dhe ende asgjë nuk dihet për jetën dhe fatin e 28-vjeçarit.

Kjo zhdukje e mistershme ka habitur të gjithë opinionin sportiv, ndërsa dhimbja më e madhe ndihet tek familjarët dhe shokët e skuadrës,  të cilët luten për shëndetin e argjentinasit.

Për këtë ngjarje kanë reaguar edhe shqiptarët si Lorik Cana dhe Ermir Lenjani, të cilët kanë luajtur së bashku me të tek skuadra e Metz në Francë. Menjëherë pas lajmit të trishtë, dyshja e futbollistëve shqiptarë ka reaguar në rrjetet sociale duke u lutur për jetën e argjentinasit.

“Lutem për Emilianon”, shkruan Lorik Cana, teksa e shoqëron mesazhin me një foto në kohën kur luanin së bashku në skuadrën franceze.  Ndërkohë Lenjani ashtu si Cana ka shpërndarë një foto në Instagram me Sala, ndërsa shkruan dhe lutet për sholun e tij: “Emiliano vlla, jemi e ty. Do zoti që të dëgjojmë nga ti”.

Më herët mediat argjentinase raportuan mesazhin e fundit audio që futbollisti Emiliano Sala iu dërgoi shokëve të tij, para se avioni me të cilin udhëtonte të zhdukej nga radarët.

Avioni me të cilin udhëtonte futbollisti argjentinas i ‘Premier League’ u zhduk nga radari mbrëmjen e kësaj të hëne, teksa ishte nisur nga Franca drejt Cardiffit.

28-vjeçari po udhëtonte nga Nantes drejt Cardiffit, për t’iu bashkuar skuadrës angleze, me të cilën kishte nënshkruar pak ditë më parë.