
Krimi nuk po di të ndalet duke goditur sërish me shpërthim automjetesh.
Në Tiranë, mbrëmjen e sotme, një automjet u hodh në erë nga persona që aktualisht nuk janë identifikuar.
Ngjarja ndodhi te rruga “Belul Hatibi” ku rrotull gjenden Komisariati i Policisë Nr 4 dhe ai i Policisë Rrugore, raporton noa.al duke cituar burime në vendngjarje.

Pamje nga vendngjarja
Policia e Tiranës e cila konfirmoi zyrtarisht lajmin, tha se shpërthimi ndodhi sonte në orën 20.40 në një makinë të parkuar e cila ishte në pronësi të shtetasit D.H.
Si pasojë e shpërthimit janë shkaktuar dëme materiale duke shkatërruar një pjesë të automjetit, siç shikoni dhe fotot që shoqërojnë këtë lajm.
Policia pohon se ende nuk dihen autorët dhe arsyet e kësaj ngjarjeje.
Ditët e fundit ka pasur një seria shpërthimesh në automjete, duke përfshirë qytetet Vlorë, Elbasan, etj.
Në të gjitha rastet, sikurse dhe ato pararendëse të kohëve të fundit që kanë ardhur duke u shtuar, zbulueshmëria nga ana e policisë është në nivelin minimalist. /noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





