
Prokuroria e Korçës ka pushuar hetimin në lidhje me rastin e vdekjes në Komisariat të Enea Ftoit. Prokurori i kësaj çështje ka deklaruar se fakti i ndodhur nuk përbën vepër penale dhe prandaj kishte vendosur që të pushonte hetimin.
Në përfundim të hetimeve, çështja do ti dërgohet gjykatës, me kërkesë për pushimin e çështjes.
“Pavarësisht pretendimit të familjarëve të viktimës, mbi Enea Ftoin policia nuk ka ushtruar dhunë. 27 vjeçari vdiq për shkaqe natyrore, si pasoje e ishemisë akute të miokardit. Enea Ftoi ishte përdorues i lëndëve narkotike dhe vuante nga problemet në mushkëri.
Prokuroria ka marrë dëshmitë e policëve dhe disa personave të shoqëruar në Komisariatin e Korçës, në kohën kur i riu ndodhej i shoqëruar, por asnjë prej tyre nuk pohon ushtrimin e dhunës ndaj Enea Ftoit”, ka shtuar më tej në argumentimin e tij prokurori.
Ndërkohë më herët, i ati i të riut dorëzoi disa prova në Prokurori, ku sipastij vërtetonin dhunën që ka ushtruar policia ndaj djalit të tij. Tomorr Ftoj thotë se dorëzoi në Prokurori CD dhe filmime ku sipas tij dukej dhuna në trupin e të ndjerit Enea Ftoj.
“Provat e reja vërtetojnë dhunën e policisë ndaj djalit tim. Çova në Prokurori CD me filmime ku duket dhuna në trupin e Eneas. I kërkova prokurorisë të pyesë si dëshmitar gruan të cilën grabiti Enea, pasi gruaja ka parë kur policia dhunoi Enean në mes të Pazarit. Unë akuzoj 8 policë të Komisariatit të Korçës për vdekjen e djalit. Policia fshehu rrobat dhe këpucët me gjak të Eneas”- thaasokohe i ati i të ndjerit.
Kujtojmë se familjarët e kanë kundërshtuar ekspertizën mjeko-ligjore për vdekjen e 27-vjeçarit, i cili ishte ndaluar me akuzën e vjedhjes dhe gjeti vdekjen ne ambientet e Komisariatit të Korçës.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





