Transmetuar më 22-01-2019, 11:30

Drejtuesja e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Donika Prela, ka dalë sot para Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, duke iu nënshtruar procesit të vetingut.

Ajo është paraqitur vetë në seancën dëgjimore, duke mos zgjedhur avokat.

Por relatorja e çështjes, Valbona Sanxhaktari, ka evidentuar probleme me pasurinë e saj.

Kjo pasi Prela nuk ka deklaruar një hua prej 1 milionë lekë të reja. Po ashtu dyshime janë ngjallur edhe për një tokë arë të blerë prej saj, për shkak të vlerës së dyshimtë, duke qenë se bëhet fjalë për një zonë në zhvillim.

Relatorja tha se nga të ardhurat e bashkëshortit kanë rezultuar disa problematika për vitet 2003-2005, pasi për një pjesë të pagës së bashkëshortit nuk janë paguar kontributet shoqërore dhe taksat.

Hetimi është kryer edhe për një apartament banimi me sipërfaqe 96 metra katrorë në emër të bashkëshortit, i cili është blerë për 32 mijë e 100 euro. Çmimi i apartamentit, rezulton më i ulët nga ai i tregut.

Lidhur me vlerën e blerjes, janë kryer disa hetime nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit si dhe u pyet shoqëria ndërtuese.

Kjo shoqëri ktheu përgjigje, duke thënë se bashkëshorti i prokurores, Vangjel Prela ka qenë i punësuar aty dhe për këtë është dhënë me këtë çmim. Sipas shoqërisë, këtë praktikë e ka bërë edhe me punonjës të tjerë.

Sa i takon figurës profesionale, Preka është gjetur e përshtatshme profesionalisht. /a.y/noa.al

Kryeprokurorja e Krimeve të Rënda del para komisionit të vetingut, pasuria që ka deklaruar