Gjuha shqipe zyrtare në Maqedoni, Meta mesazh Xhaferit: Arritje historike
Transmetuar më 16-01-2019, 15:06

Pas zyrtarizmit të gjuhës shqipe në Maqedoni, Presidenti i vendit Ilir Meta i ka dërguar një mesazh urimi kryetarit të Parlamentit të Maqedonisë, Talat Xhaferit.

Kreu i shtetit shqiptar shprehet se gjuha shqipe ka zënë vendin e merituar, ndërsa këtë arritje e konsideron si historike dhe kuptimplotë për shqiptarët dhe për të gjithë kombësitë e tjera që jetojnë në territorin e shtetit fqinj.

“Ju përgëzoj përzemërsisht për përmbylljen me sukses të procesit të miratimit të Ligjit për përdorimin e gjuhëve . Gjuha shqipe zë zyrtarisht vendin e saj të merituar në Maqedoni. Kjo është një ngjarje historike dhe kuptimplote për shqiptarët.

Arritje e madhe dhe e rëndësishme që i kontribuon garantimit të të drejtave të barabarta për qytetarët e të gjitha kombësive në Maqedoni. Një hap shumë i rëndësishëm në kuadër të zbatimit të Marrëveshjes së Ohri”, shkruan Meta.

Më tej ai thekson se shqiptarët në Maqedoni, janë gjithmonë të orientuar drejt vlerave euroatlantike. “Shqiptarët në Maqedoni demonstruan një maturi të admirueshme dhe qëndrim konstruktiv.

Vlerësoj jashtëzakonisht rolin e z.Xhaferi në këtë drejtim, I bëtë krenarë jo vetëm shqiptarët e Maqedonisë, por të gjithë shqiptarët, kudo që ata jetojnë. Urime për suksese të mëtejshme në zbatimin sa më të mirë të ligjit”, thuhet në mesazh./b.l/noa.al/