Viti i provës, si pritet ecuria e ekonomisë shqiptare në 2019-n
Transmetuar më 12-01-2019, 08:16

Ekonomia shqiptare do të testojë aftësitë e saj për t’u rritur në 2019-n, përballë mbarimit të investimeve të mëdha, konsumit në rënie nga emigracioni i vazhdueshëm dhe frenimit të turistëve, paqëndrueshmërisë politike, kursit të luhatshëm, një sistemi bankar në riformatim pa vëmendje te kredia, shtrëngimit të mundshëm të politikës monetare dhe një ambienti të jashtëm jo shumë të favorshëm. Një përgjigje e mundshme afatgjatë me reforma strukturore që do të nxisnin rritje të qëndrueshme mungon, teksa shpresa e qeverisë për të zëvendësuar investimet e mëdha mbetet te projektet e Partneritetit Publik – Privat! Bizneset, pesimiste për herë të parë pas shumë vitesh…

Nga Ornela Liperi

Përshpejtimi i rritjes ekonomike në nivelet e mbi 4%, në nivelet më të larta të një dekade, rënia e papunësisë në nivele minimale historike dhe paketa fiskale lehtësuese, nuk kanë qenë të mjaftueshme për të nxitur optimizmin te sipërmarrjet për pritshmëri më pozitive në 2019-n. Përkundrazi! Bizneset e sektorëve kryesorë, që anketohen rregullisht çdo fundviti nga “Monitor”, së bashku me ekspertët, për herë të parë pas shumë vitesh po shfaqen tepër pesimiste. Në të njëjtën linjë, treguesi i besimit në ekonomi, i matur nga Banka e Shqipërisë, është në rënie prej tre tremujorësh radhazi.

Pesimizmi lidhet me faktorë si rënia e euros dhe paqëndrueshmëria e kursit të këmbimit për eksportuesit, emigracioni që po ndikon fuqinë punëtore dhe konsumin, ndryshimet jo favorizuese fiskale për sektorin e agropërpunimit, paqëndrueshmëria politike, çmimi i luhatshëm i energjisë pas liberalizimit të tregut, politikat fiskale nëpërmjet rritjes së taksave indirekte (siç ishte rasti i pagës minimale dhe maksimale), ndërsa barra fiskale vijon të mbetet më e larta në rajon, duke e bërë biznesin jo konkurrues.

Entuziazmi i përmirësimit të aktivitetit ekonomik në shifra nuk ka arritur të transmetohet te biznesi për një arsye të thjeshtë: Gati gjysma e rritjes në 9 muajt e 2018-s erdhi nga prodhimi i energjisë, një dukuri e lidhur më shumë me fatin, për shkak të reshjeve të bollshme. P.sh., nëse do ta zhveshim rritjen nga efekti i energjisë, në tremujorin e tretë, zgjerimi do të ishte 3.17% dhe në të dytin 2.56%. Për 9 mujorin, duke përjashtuar efektin e energjisë, rritja ekonomike nuk rezulton më shumë se 3%. Ndaj, në fund të vitit, nëse bëhet vlerësimi se sa kjo rritje ekonomike ka ndikuar në shtimin e të ardhurave apo se sa ambienti për të bërë biznes ka ndikuar në rritjen e konkurrueshmërisë së sipërmarrjeve, bilanci për shumëkënd nuk rezulton aq pozitiv sa e tregojnë shifrat e përmirësuara zyrtare.

Më pak optimizëm kanë dhe institucionet ndërkombëtare. FMN parashikon që ekonomia të ngadalësohet në 3.7% këtë vit, nga 4% në 2018-n, pasi vlerëson që prodhimi i energjisë do të kthehet në nivelet normale. Banka Botërore parashikon që rritja e ekonomisë shqiptare pritet të ngadalësohet në rreth 3.5% gjatë 2019–‘20.

Një tjetër sfidë është kthimi i kursit të politikës monetare për herë të parë nga 2011-a. Banka e Shqipërisë ka paralajmëruar se nga tremujori i dytë i 2019-s mund të ketë rritje të interesave bazë, që sot janë në nivelet minimale historike prej 1%. Kjo mund të çojë në rritje të kostos së kredive, ndonëse dhe interesat tejet të ulëta nuk arritën të nxisnin huamarrjen, që për 11 muajt e 2018-s është rritur me vetëm 5% (e pastruar nga kursi dhe fshirja e kredive), teksa si bizneset ashtu dhe bankat nuk kanë oreks për të marrë e për të dhënë kredi.

As ambienti i jashtëm nuk është më aq favorizues. Komisioni Europian ka ulur parashikimin për rritjen e Bashkimit Europian në 1.9% në 2019-n dhe 1.7% në 2020-n. Italia, partneri kryesor i Shqipërisë për tregtinë, pritet të ketë një vit të dobët, me një rritje prej vetëm 0.9%. OECD parashikon se rritja e pasigurisë dhe normat më të larta të interesit do të ulin prirjen e ekonomive familjare dhe të firmave italiane për të konsumuar dhe për të investuar.

Mbaron TAP, investimet e reja, peng i reformave

95% e gjurmës në tokë dhe 15% e asaj detare të gazsjellësit TAP ka përfunduar tashmë. Mbi 80% e investimit prej 1.5 miliardë eurosh është konsumuar. Energjia ka sjellë tre vitet e fundit mbi 60% të totalit të Investimeve të Huaja Direkte (IHD), duke kompensuar stanjacionin e IHD-ve në telekomunikacione dhe në sektorin financiar.

Qeveria shpreson që këto investime të zëvendësohen nga vënia në punë e kapitalit të brendshëm, kryesisht nëpërmjet Partneriteteve Publike – Private (PBB). Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Financave, të azhurnuara në projektbuxhetin e vitit 2019, vlera e kontratave në fuqi, që tashmë financohen dhe që pritet të nënshkruhen këtë vit, është 382 miliardë lekë (3 miliardë euro). Ato do të shkojnë kryesisht në ndërtimin e rrugëve të reja, me kosto të larta që arrijnë deri në 22 milionë euro për kilometër (autostrada Thumanë-Kashar).

Fondi Monetar Ndërkombëtar ka shprehur rezerva për mënyrën si raportohet ky borxh. “Ne këshillojmë që Ministria e Financave të ndërmarrë një vlerësim të plotë të rreziqeve të lidhura me PPP-të, ndikimin e tyre në kuadrin afatmesëm buxhetor dhe qëndrueshmërinë e borxhit”, – ka pohuar z. Jan Kees Martijn, shefi i Misionit të FMN-së për Shqipërinë, në një intervistë për Monitor.

Përfaqësuesit e institucioneve ndërkombëtare nuk duken shumë optimistë kur pyeten se si mund të zëvendësohen projektet e mëdha që po mbarojnë. Me diplomaci, ata e vënë theksin te reformat strukturore. “Shqipëria duhet të përshpejtojë reformat në mjedisin e biznesit dhe të krijojë kushte të barabarta për sipërmarrësit e huaj për të investuar dhe për të përdorur potencialin e pashfrytëzuar të vendit”, thotë znj. Maryam Salim, Përfaqësuese e Përhershme e Zyrës së Bankës Botërore në Shqipëri.

“Vendi ka nevojë urgjente për reforma që do të nxisin konkurrencën dhe zhvillimin në Shqipëri, reforma që do të mundësonin pjesëmarrjen aktive të Shqipërisë në Zonën Ekonomike Rajonale të Ballkanit Perëndimor, çka do ta ndihmonte Shqipërinë të diversifikonte eksportet e saj dhe investimet vendase dhe të huaja në vend”, shton ambasadori i BE-së në Shqipëri, z. Luigi Soreca.

Martijn i FMN rekomandon që reformat duhet të ndihmojnë në rritjen e potencialit të Shqipërisë në eksportin e shërbimeve (duke përfshirë turizmin, IT, etj.) dhe që kompanitë shqiptare të marrin pjesë në zinxhirët e vlerave europiane ose globale.

Një përqasje e tillë e qeverisë duket se mungon. Vëmendja është përqendruar te projektet me PPP, ndërsa vetë biznesi po i kanalizon kapitalet e lira në ndërtim, një investim që perceptohet që ka kthim të lartë dhe të shpejtë, ose po investon jashtë (disa sipërmarës i janë drejtuar tashmë Maqedonisë). Eksportet kanë ende si avantazh konkurrues koston e lirë të fuqisë punëtore dhe shitjen e lëndës së parë.

Vetë biznesi nuk po e gjen rrugën drejt rritjes së konkurrueshmërisë, sidomos pas vlerësimit të monedhës vendase. “Zhvlerësimi i euros i ka bërë prodhuesit shqiptarë më pak konkurrues në rajon, duke qenë se prodhimet shqiptare bëhen më të shtrenjta për tregun jashtë”, thotë Arben Shkodra, Sekretar i Përgjithshëm i Bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë.

Eksportet, shpresa sërish te mineralet, metalet e nafta

Eksportet u rritën me 15% për 11-mujorin 2018, duke shënuar performancën më të mirë që nga 2013-a. Dy grupe, “minerale, lëndë djegëse, energji” dhe “materiale ndërtimi e metale” kontribuuan në 60% të rritjes. Eksportet e energjisë të ndikuara nga moti me reshje, koniunktura e favorshme në tregjet e naftës që nxiti eksportet e Bankers Petroleum, zgjerimi i aktivitetit të minierave dhe përmirësimi i aktivitetit të Kurum, pas ristrukturimit për efekt falimenti, ishin faktorët kryesorë që ndikuan në këtë performancë.

Eksportet e tekstileve e këpucëve, që zënë peshën kryesore, me 40% të totalit, u zgjeruan me 6.2% për 11-mujorin 2018, nga 10% vitin e mëparshëm, të prekura nga zhvlerësimi i euros. Ky sektor, që punon me sistemin e materialit të porositësit dhe bën vetëm disa procese (kryesisht qepje-hekurosje), është më pesimist këtë vit, pesimist teksa gjendet nën presionin e nënçmimit të euros dhe e ka të pamundur që ta transferojë këtë humbje në rritjen e çmimeve te partnerët, që në pjesën më të madhe janë italianë.

Flamur Hoxha, administrator i kompanisë KLER, i cili prej disa vitesh ka mbyllur ciklin në kompaninë e tij, duke rritur vlerën e shtuar, rekomandon që kompanitë të bëhen bashkë dhe të ushtrojnë presion për rritjen e çmimeve. Pesimist është dhe Skënder Pashaj, administrator i kompanisë së këpucëve Fital, i cili parashikon rënie të sektorit në 2019-n.

Optimizmi ka rënë dhe te Bankers Pertoleum, eksportuesit më të madh në vend, pasi nafta në bursat ndërkombëtare e mbylli vitin në nivelet e rreth 50 dollarëve për fuçi dhe për 2019-n priten luhatshmëri të mëdha. Investimet e kompanisë që shfrytëzon me koncesion burimin e naftës në Patos Marinzë janë të varura nga bursat. Burime zyrtare pohuan se nëse nafta do të jetë në 75-80 USD/fuçi, kompania do investojë 150 mln euro, përndryshe do të rishikojë planet me qëllim uljen e kostove.

Pozitive është pritshmëria për mineralet, pas investimeve të kryera vitet e fundit dhe koniunkturës së favorshme ndërkombëtare. Mehmet Hasalami, drejtor i “Programeve të zhvillimit në fushën e minierave dhe industrisë” në Ministrinë e Infrastrukturës, pohon se sektori i minierave mund të rritet 10% në 2019-n. Albchrome mbetet aktori kryesor, ndërsa hyrje të viteve të fundit janë kanadezët e Tirex Resources Ltd dhe turqit e Tete Albania. Eksportet e energjisë, që ishin të larta në 2018-n janë tërësisht të varura nga reshjet.

Kurum, prodhuesi i metaleve dhe eksportues kryesor, ka dalë në dhjetor të 2018-s nga procedura e falimentit dhe pret një rritje 5% të aktivitetit, me tregjet kryesore vendet e rajonit. Më pak optimiste është industria e tullave e çimentos. Prodhuesit ankohen për rënie të volumit të ndërtimeve private (ka përqendrim vetëm në Tiranë), rritje të kostove të energjisë dhe pengesa në eksportet drejt Kosovës nga taksa e rrugës.

Edhe sektori i ushqimeve, pijeve e duhanit nuk është shumë optimist. Ai nuk është konkurrues për shkak të kostove të larta të naftës e plehrave kimike. Ulja e TVSH-së së rimbursueshme nga 20 në 6% pritet të ndikojë negativisht agroindustrinë. “Ulja e TVSH-së për fermerin në 6% nga 20% që u vendos në vitin 2014 është një goditje e madhe”, pohon Alban Zusi, kryetar i Shoqatës së Industrialistëve Ushqimorë. “Me këtë vendim rriten kostot për lëndët e para të produkteve vendase me 14%, duke i bërë ato jo konkurruese”.

Eksportet e makineri e pajisje kanë njohur rritje vitet e fundit si rrjedhojë e hyrjes së dy kompanive, Forschner (në 2015) dhe PSZ Albania (në 2012-n), që punojnë me fason të kabllove elektrike për tregun gjerman. Delmon Group është një tjetër hyrje e re e muajve të fundit, me seli në Elbasan. Ky grup njohu rritje prej 20% të eksporteve për 11-mujorin. Megjithatë, planet e Forschner për t’u zgjeruar në Durrës kanë mbetur pezull, ndërsa koreanojugorja Yura Corporation, që prodhon pjesë për KIA dhe Hyundai, konfirmon se mund të tërhiqet nga plani i saj i biznesit në Shqipëri (një investim prej 6.5 milionë eurosh dhe 516 të punësuar në një fabrikë në Fier), duke qenë se prej 5 muajsh, procedurat janë të ngrira.

Emigracioni po ndikon konsumin dhe forcën e punës

Vitet e fundit, Shqipëria është përfshirë në një valë emigracioni, si një protestë në heshtje ndaj mungesës së perspektivës në vend. Shqetësuese është ikja e të rinjve dhe atyre me të ardhura mbi mesataren. Një anketim i fundit i Qendrës për Kërkime Sociale dhe Ekonomike gjeti se rreth 50% e personave që marrin paga nga 1000-1470 euro duan të largohen.

Do të duhet të presim Censin e vitit 2020 nga INSTAT për të parë përmasat e vërteta të këtij eksodi “modern”. Të dhënat e Eurostat tregojnë se 183 mijë shqiptarë kanë aplikuar për azil në një nga vendet e BE-së, nga viti 2011, duke na renditur të parët në botë në raport me popullsinë. Këta janë të ikurit e regjistruar (një pjesë dhe mund të jenë rikthyer), por mungojnë të dhënat për ata që dalin nga vendi dhe nuk kthehen më dhe nuk regjistrohen asgjëkundi si emigrantë.

Shtimi i emigracionit ka filluar të ndihet ndërkohë në konsum (që deri diku në verë u kompensua nga turistët) dhe sidomos në fuqinë punëtore. Bizneset raportuan se një nga problemet me të cilat po hasen është gjetja e punonjësve. “Largimi po shqetëson biznesin, krijon plagë, e bën të pamundur që sipërmarrjet të operojnë si duhet. Kemi zvogëlim të ndjeshëm të konsumit prej largimit të pjesës vitale të shoqërisë”, pohoi kreu i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë në Tiranë, Nikolin Jaka.

Në një afat më të gjatë, plakja natyrore e popullsisë, e shoqëruar me emigracionin e lartë, pritet të ndikojnë një sërë treguesish, që nga skema e pensioneve, në sistemin arsimor, tregun e punës, konsumin duke rrezikuar seriozisht të ardhmen e vendit.

A do të zgjasë cikli i turizmit

Më se tre vjet më parë, sipërmarrjet shqiptare e nuhatën kërkesën e lartë që po vinte nga agjencitë e huaja turistike pas krizës që po kalonte Turqia dhe nxituan të investonin në ndërtimin e hoteleve dhe shtimin e kapaciteteve. 2017-2018 ishin vitet më të mirë historikë, si në drejtim të numrit të turistëve të huaj, ashtu dhe të prurjeve në vend, duke sjellë rreth 1.5 miliardë euro për 9-mujorin 2018, sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë.

Ndryshe nga bizneset, qeveria nuk e kapi këtë trend dhe shansin për të nxitur zinxhirin e vlerës në vend, duke filluar nga bujqësia te industria e argëtimit. Investimet në infrastrukturë ishin minimale, sidomos në zonat që panë fluksin më të lartë turistik në bregdetin e Durrësit dhe Golemit, apo dhe rruga për në Jug që nuk po përfundon prej vitesh. Kjo situatë, e shoqëruar me mungesën e alternativave për të kaluar kohën, la shumë turistë të zhgënjyer, çka po reflektohet dhe në rënien e prenotimeve.

Polakët ishin të parët që “zbuluan” Shqipërinë tre vjet më parë. Rrahman Kasa, menaxher i agjencisë “Happy Tours”, shprehet se agjencia Tui këtë vit do të sjellë nga Polonia 7 charter-a në javë, nga 10 vitin e kaluar. Nordikët ishin tendenca e 2018-s, por dhe agjencia Apollo këtë vit do të sjellë më pak turistë dhe ka deklaruar se, nëse nuk do të përmirësohen kushtet (kryesisht në infrastrukturë, shërbim, cilësinë ushqimore) do të ketë përgjysmim ose do të ikin fare nga Shqipëria.

Reduktimi i polakëve dhe nordikëve pritet të zëvendësohet me hungarezët, ukrainasit, zviceranët, anglezët, por sa kohë do të duhet që edhe ata të zhgënjehen nëse nuk ndryshojnë kushtet, duke vënë në rrezik dhe kthimin e investimeve të sipërmarrësve vendas?! “Turistët ankohen posaçërisht për infrastrukturën”, thotë Fatos Çerenishta i FAFA Grup, i cili vitin e kaluar vuri në punë një kompleks të madh hotelier në zonën e Golemit, ndërkohë që qeveria nuk arriti të përfundojë një rrugë të shkurtër në zonën pranë malit të Robit, ku z. Çerenishta ka një tjetër hotel, duke e lënë atë pa ndriçim.

Turistët nga Kosova, që për 11 mujorin zinin peshën kryesore, me 36% të hyrjes së të huajve, kanë shfaqur sinjalet e para se mund të ndikohen nga taksa e rrugës Durrës-Kukës. Në tetor – nëntor, menjëherë pas fillimit të taksës kishte 40 mijë hyrje më pak të tyre në raport me një njëjtën periudhë të një viti më parë.

Teksa Shqipërisë po i ikën dhe turisti i mesëm, qeveria e ka përqendruar vëmendjen në nxitjen e hoteleve me 5 yje, një politikë që cilësohet e gabuar nga ekspertët e turizmit. Zak Topuzi nga Shoqata e Hotelerisë dhe Turizmit, mendon se nuk jemi gati dhe mund të dëmtojë industrinë ekzistuese. Sot, turisti që po vjen është ai me çanta shpine që preferon hostel apo çadra, si dhe turisti i mesëm europian, pohon ai, duke rekomanduar që dhe qasja e ofertës vendase duhet të jetë në përputhje me këtë kërkesë.

Euro sërish e paparashikueshme

Kursi mesatar i këmbimit për gjithë vitin 2018 ishte 127.6 lekë, me një rënie prej 6.5 lekësh, në raport me mesataren e një viti më parë, duke shënuar rënien më të madhe vjetore që nga 2004-a. Në krahasim me mesin e vitit 2016, kohë kur filloi rënia e pandalshme, euro ka rënë me 15 lekë ose 11%. Rritja e fluksit të burimeve informale, që kanalizohet përmes ndërtimeve, është një faktor që ka ndikuar gradualisht, ndërsa në 2018-n, nënçmimi i euros u përshpejtua nga konvertimi i kapitalit të bankave. Të dy këta faktorë pritet të jenë të pranishëm edhe në 2019-n, çka e bën të vështirë të parashikohet, nëse euro do të vijojë rënien, ekuilibri i ri do të ndalet në 123, apo dhe nëse do të ketë rritje surprizë./monitor/