Transmetuar më 11-01-2019, 21:34

Kryeministri Edi Rama i ftuar mbrëmjen e sotme në emisionin ‘Zone e Lirë’ me Arian Çanin, ka folur sërish për refuzimin e dekretimit të Gent Cakajt në postin e ministrit të jashtëm nga presidenti Ilir Meta.

Gjatë fjalës së tij, Rama tha se nuk duhet të merret seriozisht reagimi i presidentit Meta në Facebook, pasi sipas tij ai tekst mund të jetë shkruar nga bashkëshortja e tij, kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi dhe është jashtë kontrollit.

“Unë i kërkoj publikut që të mos e marrë seriozisht, sepse ose faqen zyrtare të Metës, ose e përdor Doktorresha e shkencave, me dy RR, ose i ka marrë passëordin e FB dhe ka shkruar për të, ose pastaj Iliri është në atë gjendje që e kam parë edhe më parë, që bën thirrje që populli të marrë armët, se i hap gropën vetes me vendime irracionale, kur duhet të marrë nishan gojën kur ha se i shkon luga huq, kështu që nuk duhet marrë seriozisht ai tekst”, u shpreh Rama.

Rama tha se nuk dëshiron konflikt institucional mes kryeministrisë dhe presidencës. Ai tha se Meta është angazhuar në një krim ndaj diturisë dhe pastërtisë duke mos dekretuar Gent Cakajn si ministër të jashtëm, ndërsa shtoi se ka humbur betejën politike dhe është aty për të zbatuar Kushtetutën.

“Nuk dua konflikt institucional. Në këtë rast kam thyer heshtjen time sepse Meta është angazhuar në një krim ndaj diturisë dhe pastërtisë. Krim ndaj një djali që mund të meritojë gjykime nga opinion, por jo njollosje të qëllimshëm nga Ilir Meta dhe jo duke e përdorues si mish për top kundër presidentit të Kosovës deh kryeministrit të Shqipërisë.

Duke ngritur teori vulgare dhe anti shqiptare që kush mendon ndryshe është rrezik kombëtar. Ilir Meta ka shkelur kushtetutën me Lleshajn dhe ligje të tjera. Meta e ka humbur betejën politike. Ai i humbi zgjedhjet dhe është aty president për të garantuar Kushtetutën dhe unitetin kombëtar. Nuk është aty për të dhënë mendime. Nuk na intereson se çfarë mendon presidentit për taksat”- tha Rama./b.l/noa.al/