
Mungesa e dekoderave ka detyruar Autoritetin e Mediave Audiovizive të shtyjë datën e ndërprerjes së transmetimeve analoge televizive në qarqet Tiranë Durrës dhe Vlorë.
Afati ishte deri në datën 15 janar 2019, dhe shtyhet për në datën 1 shtator 2019.
"AMA mban në konsideratë se në qarqet Tiranë dhe Durrës është përqendruar numri më i madh i banorëve dhe evidentohet, bazuar në të dhënat e deritanishme nga operatorët ekonomikë tregtarë, se ende nuk është siguruar sasia e mjaftueshme e dekoderave të tipit DVB-T2.
Gjithashtu, duke mbajtur parasysh vendimin nr. 547/2018 të Autoritetit të Konkurrencës, që rekomandon rritjen e sensibilizimit ndaj opinionit publik, për qarqet e Tiranës dhe Durrësit, por edhe në qarqet në vijim ku pritet të ndodhë digjitalizimi, AMA vijon punën për përmirësimin e fushatës informuese për publikun, përfshirë edhe ndryshimin e përmbajtjes së spoteve informuese, njoftimeve, apo zgjerimin e kanaleve të komunikimit" thuhet në njoftim.
Kuadri ligjor që normon procesin e digjitalizimit kërkon domosdoshmërisht pajisjen e plotë të audiencës me marrës numerikë, ose dekodera, në mënyrë që të garantohet vazhdimësia e marrjes së transmetimeve televizive edhe gjatë kësaj periudhe tranzitore.
Për këtë qëllim, AMA vijon të nxisë operatorët e tregut që të sigurojnë sasinë e mjaftueshme të këtyre pajisjeve, me qëllim finalizimin e këtij objektivi në qarqet Tiranë dhe Durrës.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





