Transmetuar më 11-01-2019, 14:00

Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi tha sot se Unaza e Re është vetëm një nga aferat e Edi Ramës, ku 40 milionë euro kërkon që ti vjedhë duke i çuar në të ashtuquajturin projekt, kur shumë mirë mund të shkonin për studentët, të cilët dhunohen nga policët.

“Këta policë harrojnë se nesër do të kenë fëmijët e tyre dhe një tjetër polic do i rrahë ata”, u shpreh Kryemadhi në një dalje për mediat, duke shtuar se paguhen me paratë e drogës.

Ajo i bëri thirrje ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj që të mos lejojë që të ngrihet dorë ndaj studentëve.

Në vijim i bëri thirrje rektoratit dhe dekanateve që të kenë kujdes me sjelljet e tyre, duke thënë se sot mund të jenë bashkëpunëtorë të Edi Ramën, por se nesër mund të jenë viktimat e para në thertoren e Edi Ramës.

Po ashtu ajo ju bëri thirrje pedagogëve me integritet, që siç i kanë përkrahur studentët të vijojnë me përkrahjen e studentëve jo vetëm në protestat e tyre, por edhe për të qenë të ditur dhe me të ardhme të sigurtë.

Sipas saj, pedagogët shqiptarë sot më shumë se kurrë janë përballë një të sëmuri dhe krimineli, për të cilin tha se pasi shkatërroi institucionet, policinë, shumë shpejtë do të shkatërrojë edhe Universitetet shqiptare.

Për Edi Ramën bëri deklarata të forta, teksa tha se ndodhet në një situatë të rëndë psi1ike dhe fizike, duke shtuar se nëse nuk e besojnë atë si doktoreshë, mjafton të pyeten pedagogët e fakultetit të Shkencave të Natyrës.

Sipas saj, për sa i përket përdoruesit të certifikuar të alkooloideve natyrore, hipnotike dhe haluçinante të cilat tani po kalon nga faza organike në fazën e substancave sintetike duhet të kuptohet që është në një situatë shumë të rëndë psikike dhe klinike.

“E them këtë si doktoreshë, por nëse nuk më beson mua si doktoreshë mund të pyesi pedagogët e Fakultetit të Shkencave në Natyrës, që i ka anëtarë të Partisë Socialiste, i ka edhe pjesëtarë të Grupit Parlamentar, që alkooloidet organike kanë të njëjtën formulë si alkooloidet sintetike, por me një ndryshim shumë të vogël, të cilat nuk duken në pamjen e tyre të jashtme dhe në formulat e tyre kimike, por është me të dhënat e tyre në bazë të izotopeve. Izotopet e alkooloideve që janë drogërat, të alkooloideve organike kanë efekt në trupin e njeriut nga 5 minuta deri në 90 minuta, ndërsa izotopet e alkooloideve sintetike ose të drogërave sintetike kanë efekt të përjetshëm, të cilat nguliten mirë në trurin e njeriut dhe nuk ikin më. Kryeministri ynë është nën drejtimin dhe efektin tashmë për të gjithë jetën e tij ndaj këtyre izotopeve. Prandaj u bëj thirrje të gjithë mjekëve që janë anëtarë të Partisë Socialiste, pedagogëve të Fakultetit të Shkencave të Natyrës që janë anëtarë të Partisë Socialiste dhe atyre deputetëve që janë mjek dhe pedagogë në Grupin Parlamentar të Partisë Socialiste të marrin fatet në dorë, sepse jo vetëm fatet e Shqipërisë, por edhe fatet e tyre dhe të familjarëve të tyre janë në dorën e një të sëmuri psikik dhe klinik”, tha Kryemadhi.

Kryemadhi iu bëri thirrje mjekëve dhe pedagogëve në radhët e Partisë Socialiste që të marrin fatet në dorë, duke thënë se vendi është në duart e një të sëmuri psiqik.

Ajo i bëri thirrje mjekëve personal të Kryeministrit, Mira Rakaçolli dhe doktor Perlatit, që ta ndalojnë Edi Ramën në rrugën e përdorimit të substancave dhe ta mbyllin në një qendër detoksikimi, në mënyrë që ti shpëtojnë vitet e tjera.

Sipas saj, ky njeri i çmendur duhet të kuptojë njëherë e mirë se nëse nuk dorëhiqet ai do e tërheqin studentët shqiptarë, ata djem dhe ata vajza që sot i rrahu policia. /a.y/noa.al