Transmetuar më 10-01-2019, 16:38

Në një kohë kur Presidenti Meta refuzoi të dekretojë Gent Cakajn për ministër të Jashtëm, gazetari Baton Haxhiu ka bërë publike një letër që i ka dërguar pak ditë më parë kreut të shtetit shqiptar.

Në fakt, Haxhiu është artikuluar mediatikisht si personi që i ka propozuar Edi Ramës emrin e Cakajt për kreun e ri të diplomacisë.

Në letër ai i kërkon Metës që ta dekretojë Cakajn duke e ftuar që të mos bëjë ndonjë gabim historik.

“Sipas Kushtetutës të Shqipërisë, Rrjedhimisht, për dekretimin e Ministrave të propozuar, roli yt, Ilir, është thjeshtë ceremonial.

Në rast se do ta shfrytëzosh zbraztësitë në sistemin gjyqësor të Shqipërisë për llogari ditore politike dhe i ndikuar nga vala e paparë e thashethemeve të ditëve të fundit, Ilir, jo vetëm që nuk do të mundësoni emërimin në detyrë të një njeriu që përfaqëson shpresë në shoqëri dhe sjellë dije në institucione por, në fakt, do të vulosni ndarjen e thellë institucionale midis Kosovës dhe Shqipërisë. Midis shqiptarëve te Kosovës dhe Shqipërisë”, thuhet në letër.

Ai i kujton Presidentit edhe përgjegjësitë që do të mbajë duke mos dekretuar ministrin e Jashtëm.

“Në rast se do ta mbash pezull dekretimin e Ministrit të ri, do të mbani edhe përgjegjësinë institucionale për mosdekretim të politikanëve me mendësi të re në Shqipëri, përjashtimin e një kosovari të shkëlqyer nga jeta e lartë institucionale në Shqipëri edhe bllokimin praktik të bashkëpunimit të frytshëm midis dy vendeve”, vijon letra.

“Ilir! Dëgjoje mirë çfarë po të thotë Batoni: Po gabon shumë dhe mos shko më tutje në këtë gabim historik”, përfundon letra.