Transmetuar më 10-01-2019, 09:29

“Skandali! Soreca tregon qartë se operacioni “Forca e ligjit” u ndal nga Edi Rama nëpërmjet Lleshajt!!!”

Është ky denoncimi i bërë nga kreu i grupit parlamentar i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili, i cili thotë se Edi Rama insistoi deri në histeri për emërimin e ministrit Sandër Lleshaj edhe duke shkelur Kushtetutën e ligjin.

Sipas tij, arsyeja e insistimit të tij është shume e qartë sot dhe histeria e Edi Ramës ishte plotësisht e motivuar, thotë ai, sepse operacioni “Forca e Ligjit” i ndërmarrë nga ministri Fatmir Xhafaj në atë kohë kishte shkelur dukshëm në kallo dhe Lleshaj ishte tamponi politik për ta ndalur operacionin dhe për tu dhënë kriminelëve kohë për tu larguar e për të marrë masat.

“Lidhjet e forta dhe kriminalizimi i qeverisë së Edi Ramës i impononin asaj që t’i shërbente krimit të organizuar, si dhe të ndalnin goditjen ndaj tij si haraç për përdorimin e tij në zgjedhjet dhe grabitjen e votave, por edhe në kriminalizimin e ekonomisë dhe krijimit të hapësirave pa fund për pastrimin e parave të pista”, shprehet Vasili.

Ai shton se ambasadori i BE në Tiranë, Luigi Soreca, evidenton qartë se ky operacion i suksesshëm është ndalur në mes, kur duhet të ndodhte e kundërta.

Për Vasilin, ministri Lleshaj me të marrë detyrën u kujdes “fort” që si prioritet të mos ishte vazhdimësia e operacionit të suksesshëm “Forca e Ligjit” të nisur nga ministri Fatmir Xhafaj, “por kafet dhe barku i rritur i policëve”.

Ndaj Edi Ramës dhe ministrit Lleshaj sot rëndon akuza shumë e rënde se duke shpërdoruar detyrën, thotë Vasili, kanë sabotuar me qëllim luftën ndaj krimit të organizuar.

Ai shkëput edhe një deklaratë nga ambasadori Soreca në këtë drejtim:

“Shqipëria dhe Ministria e Brendshme në vjeshtën e vitit 2018 iu nënshtruan operacioneve shumë të rëndësishme për zbatimin e ligjit kundër krimit të organizuar. Grupi i punës “Forca e Ligjit” ishte shumë efektiv dhe ne presim që kjo të vazhdojë. Dhe unë pres me padurim ta takoj sërish ministrin Lleshaj sa më parë për të diskutuar si ta vazhdojmë këtë punë edhe kundër krimit të organizuar”, thotë Soreca. /a.y/noa.al