Transmetuar më 10-01-2019, 07:44

Policia e Shtetit del me qëndrim lidhur me protestën e studentëve, ku edhe ditën e djeshme u bojkotua mësimi dhe u nxorrën bankat nga klasat, në shenjë proteste, para se ajo të vijonte në rrugë.

Në qëndrim thuhet se persona të caktuar kanë tentuar të pengojnë në mënyrë të paligjshme dhe të dhunshme veprimtarinë normale mësimore në disa universitete të vendit, duke penguar dhe mohuar të drejtën e studentëve për të studiuar.

“Në të njëjtën kohë, këta persona që kanë tentuar të cenojnë procesin mësimor, kanë konsumuar kundërvajtje administrative dhe vepra penale për të cilat do të mbajnë përgjegjësitë përkatëse”, deklarohet më tej.

Policia e Shtetit u bën thirrje studentëve, që tentojnë të përfshihen, pa u thelluar, në veprimtari të paligjshme.

Kërkohet që studentët të veprojnë me maturi e përgjegjësi dhe të evitojnë ngarkesën me barrë shkeljesh ligjore dhe rekordesh policore që në hapat e parë të karrierës profesionale, barrë e cila mund t’u kushtojë shumë në të ardhmen e tyre profesionale. /a.y/noa.al