VOA: “DH Albania” u favorizua nga shteti shqiptar, dyshimet e forta të çojnë te Gener 2 i Bashkim Ulajt
Transmetuar më 09-01-2019, 19:47

Nga Armand Mero

Zbulohen detaje të tjera lidhur me kompaninë DH Albania e cila fitoi garën për ndërtimin e një pjese të Unazës së Re në Tiranë, duke përdorur dokumente të falsifikuara të një kompanie amerikane Dunwel Haberman.

VOA ka siguruar informacione që dëshmojnë se administrata shqiptare ka ndihmuar kompaninë DH Albania për marrjen e licencës së ndërtimit në zbatim, duke nisur procedurat, përpara se vetë kompania të regjistrohej zyrtarisht në Qendrën Kombëtare të Biznesit

Në fund të dhjetorit 2018, duke folur për rastin e kompanisë DH Albania, kryeministri Rama deklaroi se “kompani që hyjnë me letra të falsifikuara nëpër tenderë ka në të gjithë botën. Një qeveri, një ministri, një ministër nuk gjykohen nga fakti nëse hyn apo nuk hyn një kompani me letra të falsifikuara. Gjykohen nga mënyra sesi reagojnë në momentin kur fakti konstatohet… Përsa i përket rastit në fjalë, ku është korrupsioni që ka ndodhur, që të jem unë i qartë? Si?" u shpreh ai.

Që prej momentit, kur u zbulua në fillim të dhjetorit, se kompania DH Albania kishte fituar 30 milionë Euro në dy tenderë përmes një serie dokumentesh të falsifikuara, në disa dalje publike kryeministri Edi Rama i mëshoi faktit se bëhej fjalë, sipas tij, thjesht për një mashtrim nga ana e kompanisë. Tenderët e fituar u anuluan dhe për këtë çështje ka nisur një hetim i prokurorisë.

Por informacionet e siguruara nga VOA, dëshmojnë se institucionet shqiptare duket se janë vënë në shërbim të plotë të kompanisë, madje edhe në shkelje të rregullave dhe kërkesave ligjore.

Sipas një përgjigjeje zyrtare, që Ministria e Infrastrukturës i ktheu kërkesës për informacion nga VOA, rezulton se “Shoqëria DH-ALBANIA, degë e shoqërisë së huaj, me kërkesën e saj të datës 13.07.2018, shoqëruar me dokumentacion përkatës, ka aplikuar për njehsimin e licencës së huaj, në fushën e zbatimit në ndërtim”, thuhet në shpjegimin dhënë për Zërin e Amerikës.

Referuar faqes zyrtare të ministrisë së Infrastrukturës, në seksionin për formularët e aplikimit për ekuivalentimin e licencës së shoqërive të huaja, (e gjeni këtu) në kërkesat e renditura për aplikim, pika b) parashikon dhe paraqitjen e “ekstraktit historik, apo ekstraktit për të dhënat e subjektit të regjistruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit, me të cilën dëshmohet ndër të tjera, lidhja e shoqërisë së krijuar, që kërkon të licencohet, me atë të vendit të origjinës që disponon licencë profesionale, veprimtaria dhe statuti aktiv i shoqërisë”.

Por më datë 13 korrik, kur është bërë aplikimi, shoqëria DH Albania ishte ende inekzistente.

Referuar Qendrës Kombëtare të Biznesit, data e saj e regjistrimit figuron 18 korriku 2018, me përfaqësues një 26 vjeçar të panjohur Avdjol Dobin. Është e pakuptueshme se si Sekretariati i Komisionit të Licencave, ka nisur procedurat mbi një entitet, që deri në atë moment nuk ekzistonte. Sikundër është e paqartë, se çfarë dokumentacioni, kompania ka paraqitur për t’u identifikuar si DH Albania, duke qenë se e ka patur të pamundur të dorëzojë një ekstrakt nga Qendra Kombëtare e Biznesit.

Komisioni i Licencave, i cili drejtohet nga Gerta Lubonja, e emëruar me vendim të Këshillit të Ministrave, ka në përbërjen e tij dhe tre drejtorë të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjetikës. Bazuar në afatet kohore të ushtrimit të aktivitetit të tij, të publikuara deri pak ditë më parë në faqen e Ministrisë së Infrastrukturës (e gjeni këtu) “dokumentacioni i shoqëruar me material përmbledhës të hartuar nga sekretariati teknik, i vihet në dispozicion anëtarëve të Komisionit 3 ditë pune përpara datës së përcaktuar për zhvillimin e mbledhjes”.

Licenca për DH Albania është dhënë në mbledhjen e datës 30 Korrik, e cila ka qenë ditë e hënë. Për pasojë, dokumentacioni për të, do të duhej t’i dorëzohej Komisionit, të paktën më 25 korrik 2018. Por sipas përgjigjes zyrtare të Ministrisë së Infrastrukturës, DH Albania, i ka plotësuar dokumentet vetëm më 27 Korrik 2018.

Shkeljet në favor të DH Albania, bëjnë të mendosh se Komisioni e ka patur të qartë se nuk po ndihmonte thjesht të riun Avdjol Dobi, por njerëzit realë që qëndrojnë pas kësaj kompanie. Një seri të dhënash ngrenë dyshime të forta që të çojnë tek biznesmeni i njohur Bashkim Ulaj. Që nga lidhjet familjare mes të dyve, të faktit se punonjës të kompanisë Gener 2, të zotit Ulaj janë angazhuar në plotësimin e dokumentacionit të DH Albania-s e deri te pagesa që GENER 2, siç dëshmoi një investigim i BIRN-it, ka bërë për llogari të kësaj kompanie.

Prokuroria e cila po heton si për veprat penale të falsifikimit ashtu dhe për atë të shpërdorimit të detyrës, nga ana e institucioneve të përfshira, nuk ka mundur ende të thërrasë Avdjol Dobin i cili, të paktën zyrtarisht, nuk rezulton të ketë dalë nga Shqipëria. /voanews/

Reagimi/ Gjiknuri flet për akuzat e VOA mbi skandalin e “DH Albania”