Transmetuar më 09-01-2019, 17:14

Arsimtarë, policë dhe punonjës të Shëndetësisë nuk kanë marrë ende pagat e muajit dhjetor. Ndonëse këto paga duhej të kishin kaluar që në datën 3 janar, një pjesë e madhe e punonjësve në sektorin publik ende nuk kanë marrë rrogën e dhjetorit.

Ministria e Financave ia ka kaluar përgjegjësinë për vonesën e rrogave ministrive të linjës. Sipas Financave, Thesari i Shtetit nuk ka mungesë likuiditeti, por Ministritë e linjës nuk kanë përcjellë ndarjen e detajuar të buxheteve të tyre, çka pengon hedhjen e rrogave të punonjësve.

Veçanërisht Ministria e Arsimit dhe ajo e Shëndetësisë, të cilat kanë edhe numrin më të madh të punonjësve në sektorin shtetëror, nuk kanë përcjellë listëpagesat dhe dokumentacionin e nevojshëm pranë Financave, për t’i hapur rrugë pagesës së rrogave për punonjësit.

Çdo fillimviti, Ministritë e linjës dhe të gjitha institucionet publike duhet të bëjnë ndarjen mujore të buxheteve, sipas zërave respektivë. Kjo ndarje përcillet në Ministrinë e Financave dhe, vetëm pas kësaj, Qeveria autorizon kalimin e fondeve, përfshirë ato për pagat e punonjësve.

Sipas burimeve nga Ministria e Financave, deri më tani këtë e kanë bërë vetëm një pjesë e institucioneve publike, punonjësit e të cilave i kanë marrë pagat, ndërkohë që pjesa më e madhe ende nuk e ka përgatitur dokumentacionin e nevojshëm, duke i lënë punonjësit pa pagat e dhjetorit. /Top Channel