Transmetuar më 09-01-2019, 12:13

Reshjet e dendura të dëborës dhe acari kanë përfshirë pjesën më të madhe të vendit.

Deputeti demokrat i qarkut të Gjirokastrës, Tritan Shehu, thotë se ky qark është drejt bllokimit dhe paralizimit të plotë.

Ai publikon disa fotografi ku shkruan, “Strukturat shtetërore përgjegjëse janë inekzistente! Shtabi i emergjencës as që dëgjohet apo ndjehet! Policia nuk bën asnjë komunikim, njoftim apo paralajmërim për qytetarët e udhetarët”.

Shehu shton se rruga nacionale nga Memaliaj në Qafë Muzinë është pothuajse e pakalueshme, me një nivel të borës prej rreth 35 cm dhe po kështu dhe drejtimi për në Përmet.

“Për komedi vetëm një mjet i vogël pastrues duket diku, ndërsa situata kërkon reagime e masa energjike. 30 grupe të tëra fshatrash si Zagorisë, Lopësi, Kurveleshit, Pogonit, Frashërit etj., janë të bllokuara dhe askush nuk interesohet. As edhe një masë apo këshillë për blegtorinë e këtij qarku, e cila po kalon momente shumë të vështira”, deklaron Shehu.

Po ashtu shton se bora po vazhdon të bjerë, ndërsa mungojnë krejtësisht reagimet përkatëse stabilizuese.

“Po kush t’i realizojë këto, një qeverisje në shkërmoqje si kjo…!?”, thotë në mbyllje deputeti demokrat. /a.y/noa.al