“Shtrëngoje fort!” Prokuroria nis hetimet për gjyqtarin që kërkonte seks, reagon KLGJ
Transmetuar më 09-01-2019, 11:15

Prokuroria e Krimeve të Rënda, ka nisur procedimin penal ndaj gjyqtarit të Fierit, Roland Hysi i cili kërkonte marrëdhënie seksuale nga një nënë e divorcuar me qëllim dhënien e kujdestarisë së fëmijës.

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë, duke u nisur nga pamjet filmike të transmetuara në datën 08.01.2019 në emisionin “Stop” të televizionit “Klan”, kryesisht, ka regjistruar provedim penal për veprat penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtojnë funksione publike” dhe “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarë të tjerë të drejtësisë”, të parashikuara nga nenet 245/1 dhe 319/ç të Kodit Penal.

Në bashkëpunim me Drejtorinë e Policisë së Shtetit janë duke u kryer veprimet e nevojshme hetimore, me qëllim hetimin e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe të përgjegjësisë penale të personave të përfshirë.

Edhe Këshilli i Lartë Gjyqësor, ka reaguar lidhur me këtë rast. KLGj thotë se pasi u njoh me videon e shfaqur në mbrëmjen e së martës, në emisionin investigativ “Stop”, shpreh shqetësimin dhe indinjatën e thellë për ngjarjen dhe për implikimin e mundshëm të gjyqtarit apo gjyqtarëve të përmendur në këtë emision.

Këshilli Lartë Gjyqësor, duke vlerësuar sjelljet dhe veprimet e gjyqtarit në raport me ligjin, nxit shqyrtimin dhe verifikimin e plotë të gjithë kësaj ngjarje, nga strukturat përkatëse.

“Shkeljet e rënda të etikës dhe që diskreditojnë rëndë figurën e gjyqtarit, ishin arsye për të cilën reforma në drejtësi doli si domosdoshmëri, dhe do të jetë arsye që kjo reformë, me të gjithë institucionet e reja të sapo ngritura, të vijojë përpara betejën ndaj çdo lloj korrupsioni të shfaqur, në të gjitha nivelet, me qëllimin final sigurimin e sundimit të ligjit, pavarësinë dhe eficiencën e gjyqësorit”, thuhet në deklaratë.

Duke falenderuar emisionet televizive investigative, si dhe të gjithë qytetarët, për kontributin e tyre, në bërjen publike të rasteve korruptive, KLGJ garanton opinionin publik se do të bashkëpunojë pa asnjë rezervë me çdo institucion shtetëror, për verifikime sa më transparente dhe profesional ndaj çdo gjyqtari të dyshuar për përfshirje në veprimtari të paligjshme apo korruptive. /a.y/noa.al

“Shtrëngoje këtu fort, ndieje fort aty”, gjyqtari kërkon ryshfet dhe seks