Transmetuar më 09-01-2019, 09:34

Flokë kaçurrela, buzëqeshje rrezëllitëse dhe lëkurë e errët. Madje “shumë e errët” për të mbajtur kurorën e Miss Algjerisë.

Janë këto sulmet dhe akuzat e hedhura ndaj 26-vjeçares Khadidja Benhamou, e cila së fundmi u zgjodh më e bukura e Algjerisë.

Bashkëkombësit e saj e kanë sharë për shkak të lëkurës tejet të errët të saj.

Lëkura e vajzës është tipike për banorët e zonës së jugut të Algjerisë, e cila ndodhet në kufi me Mali, dhe Khadidja vjen pikërisht nga ajo zonë Adrar.

“Është një miks mes Ronaldinho dhe Bijouna (aktore algjeriane)”, është një prej komenteve të shfaqura në faqen e Miss Algjerisë.

Khadidja, e cila para se të fitonte titullin punonte në një hotel, tashmë po përballet me një lumë fyerjesh për shkak të formave të saj “shumë afrikane”, të cilat nuk pëlqehen në masë nga popullsia vendase, shkruan noa.al.

Ndërkohë përballë kritikave Missi ka shkruar fare shkurt, “Zoti iu tregoftë rrugën atyre që më kritikojnë dhe i bekoftë ata që më inkurajojnë”. /a.y/noa.al