Vetëvritet 30-vjeçarja tri javë pas lindjes së foshnjës, ç’thonë familjarët
Transmetuar më 08-01-2019, 20:03

Një 30-vjeçare dyshohet se është vetëvrarë dje në mesditë, në Maqellarë të Dibrës, në rrethana ende të paqarta.

E reja, pak ditë më parë, kishte lindur një fëmijë dhe pas daljes nga spitali nuk ishte ndjerë mirë. N. Rubla është vetëvrarë me çiften që familja mbante në shtëpi.

Mësohet se Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e ngjarjes së rëndë, ndërkohë që janë marrë në pyetje të afërmit e vajzës së vetëvrarë, si dhe është sekuestruar telefoni që viktima mbante, shkruan “Panorama”.

“Tri javë më parë Rubla është shtruar në maternitetin e Peshkopisë. Pasi ka lindur, ajo nuk është ndjerë mirë nga ana shëndetësore. Sipas mjekëve, lindja është kryer në kushte normale, por 30- vjeçarja ka kaluar në depresion.

Nuk kemi ende të dhëna se cilat kanë qenë shkaqet e kalimit në depresion, por po hetojmë për zbardhjen e plotë të ngjarjes së rëndë”, pohuan zyrtarë të Policisë Dibër.

Po ashtu, po hetohet nëse Rubla ka pasur debate apo konflikte me familjarët e saj, të cilët janë të parët që njoftuan Policinë për ngjarjen e ndodhur në banesë. Ata sqaruan se nuk e kanë besuar kurrë se 30- vjeçarja do të vetëvritej, pasi kurohej rregullisht dhe kishte përmirësime.