Transmetuar më 08-01-2019, 19:05

Në ditët e dytë të protestave të studentëve, për vitin 2019, ministria e Arsimit ka kërkuar numrin e studentëve në universitete që përfitojnë nga përgjysmimi i tatrifave dhe bursa.

Kërkesa u është drejtuar universiteteve publike të cilat do të duhet të japin informacionin e duhur.

"Në përmbushje të angazhimeve të Qeverisë Shqiptare për plotësimin e kërkesave të studentëve, Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, me prioritet, po angazhohet maksimalisht në bashkëpunim me institucionet e arsimit të lartë, për sigurimin e një informacioni sa më të plotë për identifikimin e numrit të studentëve, si dhe përcaktimin e programit ku ata ndjekin studimet e tyre, për të gjitha kategoritë e parashikuara në secilin prej vendimeve nr.778, 779, 780, 781, 782 dhe 784, datë 26.12.2018 të Këshillit të Ministrave", sqaron ministria.

Pas marrjes së këtij informacioni, ministria thotë se do të lëvrohet edhe fondi.

"Strukturat përkatëse pranë universiteteve publike janë angazhuar plotësisht për të mundësuar brenda datës 11.01.2019 gjithë informacionin e nevojshëm. Pas marrjes së këtij informacioni do të vijohet nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë të lëvrohet fondi i nevojshëm për subvencionimin e IAL-ve publike në përballimin e efektit financiar, në zbatim të vendimeve", thuhet në njoftimin e ministrisë.

Po ashtu ministria thotë se sekretaritë mësimore pranë universiteteve dhe administratorët do të bëjnë njoftimin e nevojshëm për studentët.

Ndërkohë studentët do të vijojnë edhe nesër protestën e tyre, edhe përpara Ambasadës Amerikane. k.k/noa.al/