
Banorët e Unazës së Re vijojnë protestën e tyre duke bllokuar edhe rrugën në zonën e “Astirit”. Ata njëzëri janë shprehur se projekti në fjalë duhet të anulohet urgjentisht pasi është tërësisht korruptiv.
Teksa sot numërojnë plot 66 ditë rezistencë dhe protestë, banorët u shprehën se kauza e tyre do të vijojë deri në kohën kur projekti të anulohet. Në mbështetje të tyre ishin edhe deputetë të opozitës së bashkuar. Deputeti demokrat, Klevis Balliu kishte një mesazh të qartë për shefin e qeverisë.
“Kryeprokurorja e Përgjithshme e Përkohshme duhet të therrasi menjëherë në Prokurori Edi Ramën, si kryetari i kësaj megaafere dhe të gjithë pjesëtarët e tjerë të kësaj afere korruptive. Sot nuk ka më asnjë dyshim që projekti i unazës është një projekt i korruptuar”, u shpreh Balliu.
Më tej ai tha se të gjithë të bashkuar ata e kanë vërtetauar tashmë se nuk do stepen nga qëndrimi i tyre. “Do të vazhdojmë të rrimë këtu deri në momentin që ky projekt të anulohet. Edi Rama nuk të ka mbetur asnjë opsion tjetër përveçse anulimi i projektit, ose në të kundër ne do ta anulojmë projektin bashkë me ty dhe qeverinë tate.
Rama dhe qeveria e tij duhet ta marrë qartë mesazhin: Larg duart nga unaza, larg duart nga studentët se në të kundërt do të përballesh me forcën e këtyre qytetarëve dhe studentëve që do të japin shuplakën përfundimtare”, përfundon fjalën deputeti demokrat./b.l/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





