Transmetuar më 07-01-2019, 21:03

Televizioni gjerman ZDF, ka trajtuar në edicionin qendror të lajmeve të ditës së sotme, protestat në Shqipëri, duke u fokusuar te studentët dhe gjendja e tyre.

Grupi i xhirimit të këtij reportazhi disaminutësh evidenton se studentët e akuzojnë kryeministrin Edi Rama si njeri të lidhur me korrupsionin dhe me afera narkotike.

“Studentët shqiptarë protestojnë prej javësh përpara Kryeministrisë. Ata e akuzojnë atë për korrupsion dhe lidhje me drogën”, – është okelio e reportazhit të ZDF.

Reporteri i kronikës televizive thotë se 30 për qind e të rinjve dhe të rejave në Shqipëri vuajnë mungesën e vendeve të punës.

Kurse duke iu rikthyer protestës nënvizojnë se “studentët shqiptarë kanë vazhduar edhe sot me protestën e tyre para Kryeministrisë. Ata kërkojnë më shumë të drejta, por edhe zgjidhje të situatës kaotike në të cilën ndodhet arsimi në Shqipëri”.

ZDF ka marrë dhe prononcime të studentëve protestues. Djaloshi Igli Tola, duke folur me ZDF evidenton jetën e vështirë studentore. Ai tregon kushtet e vështira në të cilat jetojnë studentët e vendosur në konviktet shtetërore.

Tola thotë se nuk ka pasur asnjë rikonstruksion apo investime të tjera në godinat e konvikteve.

Për Tolen, kjo ka ardhur si pasojë e harresës dhe korrupsionit të institucioneve përgjegjëse.

Raporti i ZDF vijon me vlerësimin se kryeministri Edi Rama, nuk ka ndërmarrë ende asnjë vendim që i jep zgjidhje kërkesave të studentëve, por ka kërkuar dialog me studentët.

Në kronikën e ZDF evidentohet edhe se studentët nuk duan dialog dhe nuk pranojnë të dialogojnë me Ramën. Ata deklarojnë se protesta e tyre do të vazhdojë deri në plotësimin e kërkesave dhe thonë se duan që kauza e tyre të shndërrohet në kauzë kombëtare. /noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd