Transmetuar më 05-01-2019, 13:09

Ka dalë sot para Gjykatës së Krimeve të Rënda për tu njohur me masën e sigurisë 34-vjeçari Gazmend Musta, i cili vrau me thikë bashkëshorten e tij Gentiana Caushaj 31 vjeçe dhe motrën e kësaj të fundit, Merisa Caushaj 18 vjeçe.

“Arrest me burg” vendosi gjykata ndaj tij, i cili pritet të qëndrojë në qeli në vijim të hetimeve.

Duke folur në seancë Musta është shprehur i tronditur dhe i penduar, duke thënë se “Kam hallin e dy fëmijëve”. Po ashtu ai ka thënë se e qëlloi të shoqen me thikë pasi e ofendoi.

Krimi i rëndë ndodhi rreth orës 17.00 të 2 janarit në banesën e çiftit në Ballsh, teksa të pranishëm ishin edhe dy fëmijët me moshë 3 dhe 7 vjeç.

Gazmendi ka thënë se gjithçka ndodhi pas një sherri me të shoqen, e cila i kishte kërkuar që të shkonte tek prindërit e saj në fshatin Drizar të Mallakastrës, por që nuk e kishte lejuar, për shkak se nuk shkonte mirë me vjehrrin dhe me vjehrrën.

Ngjarja e rëndë ndodhi teksa i dyshuari ndodhej në gjendje të dehur, pak pasi ishte kthyer nga një vizitë nga banesa e prindërve të tij në Drenovë.

Gazmendi prej pak kohësh ishte kthyer nga Greqia për festa.

Fillimisht ai qëlloi të shoqen me thikë, por teksa kunata ka ndërhyrë për të mbrojtur motrën, e vrau edhe atë. /a.y/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd