Transmetuar më 03-01-2019, 23:19

Pas dështimit të mbulimit të shërbimit shëndetësor me mjekë me bonus në zona të largëta ku ka mungesa të theksuara mjekësh specialist, edhe mbulimi nëpërmjet patronazhimit nuk funksionon.

Pasi e kanë bërë pothuajse për një vit, ku mjekë nga Tirana shkonin të ofronin shërbim për disa ditë në maternitetin e Burrelit për lindjet e planifikuara, ekipet e mjekëve gjinekologë obstetër thonë se shërbimi nuk mund të mbulohet në këtë formë.

Ata i janë drejtuar këto ditë me një letër ministres së Shëndetësisë Ogerta Manastirliu ku i thonë se do të formojnë atje vetëm shërbim ambulator dhe nuk do të presin më lindje.

Përveç kësaj, ekipi i mjekëve që ka firmosur këtë letër i bën me dije ministres së Shëndetësisë se kushtet në maternitetin e Burrelit janë përtej normales, shkruan TCH.

Salla e operacionit nuk ofron siguri pasi mungojnë instrumentet e nevojshme për lindje. Mungon gjaku për t’i ardhur në ndihmë nënës në rast nevoje. Mungon ngrohja, çka rrezikon jetën e bebes dhe të nënës. Për të gjitha këto raste fataliteti mjekët janë të riskuar nga Kodi Penal.

Ndaj duke i parashtruar të gjitha mangësitë, mjekët i bëjnë me dije ministres Manastirliu se shërbimi shëndetësor nuk mund të mbulohet më nëpërmjet patronazhimit, por paralelisht me krijimin kushteve në maternitetin e Burrelit të gjejë mënyrat dhe të punësojë mjekë obsteter gjinekolog atje.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd