Transmetuar më 02-01-2019, 21:56

Ka vetëm pak muaj që emisionin e saj “Mos i fol shoferit” e ka zhvendosur në studio çdo të shtunë në mbrëmje duke konkuruar për audiencë me disa nga spektaklet më të famshëm të humorit që transmetohen në të njëjtën fashë orari por në ekrane të ndryshme televizive.

E megjithatë aktores së humorit Rudina Dembacaj duket se konkurenca nuk i bën aspak përshtypje.

"Unë kam një të mirë që nuk krahasohem asnjëherë dhe konkurenca nuk më bën fare përshtypje. Unë shoh drejtë dhe para, e së shpejti, madje mendoj që tashmë kam hyrë në treg fuqishëm duke konkuruar edhe televizionet e mëdha. Do vazhdoj të mos dorëzohem në asnjë moment duke u përshtatur pak edhe me tregun, sepse nuk është e lehtë", është shprehur ajo në emisionin “Rreze Dielli” në Report TV.

E pyetur se kë konsideron si rivalë për audiencë pasi emisioni i saj “Mos i fol shoferit” transmetohet në Ora Neës në të njëjtën kohë me spektakle si Duplex, “Xing me Ermalin”, Al Pazar apo “Shiko kush luan”, Dembacaj u shpreh:

"Unë kam shumë respekt për kolegët e mi të Duplex-it, Visjan Ukcenaj, Eglein Laknorin, Albano Bogdon dhe Jul Dedën, ata janë shumë mirë sidomos tani në TV Klan kanë më shumë audiencë, është problem i Vizion Plus-it që nuk diti ti mbante. Por edhe në Top Channel duke patur shumë të ftuar, është Flor Binaj, aktori im i preferuar i humorit ndaj nuk kam si të mos e konsideroj. Edhe Mamaqi ka shikueshmërinë e vet, ndërsa atë tjetrin nuk e konsideroj fare (AlPazar-in)". 

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd