
Shqiptarët Iu bashkuan të hënën në mbrëmje festimeve për vitin e ri, një prej festave tradicionale më masive të mbarë botës.
Festa e Vitit të Ri 2019 ka nisur në vatrat familjare dhe lokalet e shumtë, për të kulmuar në mesnatë në qendrat e qyteteve me aktivitete të shumta.
Veçmas në Tiranë në Sheshin “Skënderbej” ishin mbledhur mijëra njerëz, të cilët i kthyen në festë momentet e kalimit nga viti i vjetër në vitin e ri.

Bashkia kishte organizuar një program të zgjedhur muzikorë me këngëtarët më në zë.

Ndryshe nga vitet e tjerë ky vit i ri do të mbahet mend për mungesën e fishekzjarrëve në treg, prania e të cilëve vite më parë kishte shkaktuar shumë zhurmë, madje në jo pak raste edhe fatkeqësi.

Një vendim i fundit i qeverisë për ndalimin e shitjes së fishekzjarrëve dhe lëndëve pirroteknike u duk se i dha fund përdorimit të tyre një herë e mirë.

Por në orën e ndërrimit të viteve Tirana shpërtheu në fishekzjarrë për minuta të tëra, duke i dhënë festës një kuptim tjetër.

Megjithatë gjithçka ishte nën kontrollin e organeve shtetërore dhe shumë pak në duart e popullatës.
Festa e vitit të ri si zakonisht u shfrytëzua edhe nga politika për të lëshuar mesazhet e saj, por më së shumti duket se u dëgjuan mesazhet e njerëzve për më shumë dashuri, respekt dhe ndihmë reciproke.

Viti i ri 2019 pritet të jetë mjaft i rëndësishëm për Shqipërinë dhe shqiptarët.
Ngjarjet e paralajmëruar më të shënuara janë zgjedhjet lokale që pritet të mbahen më 30 qershor, por edhe vendimi i BE për çeljen e negociatave me Shqipërinë.
Megjithatë disa zhvillime intensive të fundit të vitit 2018, veçanërisht greva e studentëve të UT, protestat e banorëve të Astirit, apo edhe ndryshimet e fundit në qeverinë Rama mund të sjellin edhe zhvillime gati të paparashikueshme.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





