Transmetuar më 01-01-2019, 20:05

Vit i ri, taksa të reja.

Dhe kështu ka ndodhur edhe sivjet.

Qeveria, nuk po resht ndryshimet në sistemin fiskal duke i çoroditur keqas, thuajse të gjithë.

Po ndodh shumë shpesh, duke bërë që edhe ekonomistët të pështjellohen e të mos jenë të qartë të japin përgjigje.

Kjo dukuri është më e përhapur në bizneset e vogla dhe të mesme.

NOA.al ju sjell një informacion që shpresojmë të sqarojë shumë njerëz, lidhur me ndryshimet e reja fiskale që nisin nga viti 2019 që sapo hyri.

Me një vendim krejt të papritur dhe të padiskutuar asnjëherë gjatë vitit që kaloi, qeveria shpalli pak ditë para hyrjes së 2019, një vendim që rrit pagën e detyrueshme për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, nga 24 mijë në 26 mijë lekë.

Vetë një vit e ca më parë ishte rritur nga 22 mijë në 24 mijë, kjo vlerë page.

Në këtë mënyrë, rritet barra fiskale, sidomos për një numër biznesesh që kanë punonjës me të tillë vlerë pagese mujore.

Drejtori i Politikave Fiskale në ministrinë e Financave, Niko Lera, thotë se është rritur dhe kufiri i pagës maksimale. Më parë ka qenë 105 mijë dhe tani ka shkuar në 114 mijë ose afro një mijë euro.

Rritja e pagës minimale dhe maksimale për efekte fiskale, rrit sigurimet që paguajnë punonjësit.

“Kemi llogaritur që kjo rritje e pagës minimale të gjenerojë 1.7 miliardë lekë fonde, të cilat do të shkojnë në fondit e Institutit të Sigurimeve Shoqërore”, thotë Lera.

Sakaq, ndryshime ka dhe në tatimin mbi fitimin.

Xhiro vjetore që tatohet, në 2019, për vlerën 0 deri 5 milionë do të vazhdojë të jetë në nivelin zero për qind.

Sakaq, mbi vlerën 5 milionë dhe deri në vlerën 14 milionë lekë të reja në vit, tatimi mbi fitimin do të jetë 5 për qind.

Drejtori i Politikave Fiskale në ministrinë e Financave, Niko Lera, e sqaron më mirë kur pohon se biznesi në Shqipëri do të ketë tre shkallë tatim-fitimi, fasha e parë 0% për subjekt me xhiro deri në 5 milionë lekë në vit, nuk ndryshon.

Kufiri i sipërm për fashën e biznese që paguajnë 5%, shkon nga 8 në 14 milionë lekë xhiro në vit.

Mbi këtë shifër, tatim fitimi është 15%.

Ndryshimi tjetër është në tatimin progresiv të pagave, fasha e pagave bruto që tatohet me 13%, rritet nga 130 mijë në 150 mijë lekë në muaj.

“Ne kemi një sistem që takson me 0 % pagat deri në 30 mijë lekë. Takson me 13% pagat nga 30-150 mijë lekë dhe takson me 23% pagat mbi 150 mijë”, shprehet z. Lera.

Në sistemin fiskal ka edhe disa ndryshime të tjera që aplikohen këtë vit.

Për biznesin e llojit agroturizëm, TVSH është 5 për qind tani e tutje dhe jo më 20 për qind si thuajse gjithë të tjerat.

Nga ana tjetër taksa e dividentit ose fitimit që shkon në xhepat e aksionerëve të kompanive, shkon nga 15 në 8%.

Por sa është efekti i ndryshimeve fiskale në buxhet?

“Ne kemi llogaritur një efekt diku tek 5-6 miliardë lekë të paketës fiskale në buxhet, duke përmbledhur efektet e rritjes së pagës minimale dhe uljes së taksës së dividentit”, – deklaron Lera.

Sakaq, shqiptarët do të vazhdojnë të paguajnë plot 20 për qind TVSH, për gjëra jetike si uji, energjia elektrike, telekomunikacioni, etj.

Ne gjithashtu paguajmë 20 për qind TVSH edhe për ushqimet, e artikuj të tjerë.

Pjesa më e madhe e vendeve të botës, kanë TVSH më të ulët për ushqimet dhe më të lartë për produktet e luksit. /noa.al/