Kryetarja e partisë Lëvizja Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, është bashkuar me të shoqin, President i Republikës dhe me fëmijët, për të dalë para publikut me një urim për vitin e Ri 2019.
“Mbrëmja e ndërrimit të viteve qoftë e bardhë dhe e gëzuar për të gjithë shqiptarët”.
Një urim i ndjerë nga Monika Kryemadhi që vazhdon kështu: “Zoti u dhëntë forcë të gjithë atyre që sot ulen në tryezën e festës me dhimbjen për të dashurit e tyre që nuk janë më.
Ndihmoftë ata, që me sakrifica kanë blerë ushqimet për të gëzuar fëmijët e tyre dhe të afërmit.
Në këtë mbrëmje të fundit të 2018, Zoti u dhëntë forcë e kurajë të gjithë atyre që luftojnë me sëmundjet e që po kalojnë natën në qendrat spitalore.
I uroj të gjithëve me zemër një vit të mbarë, me shëndet, mirësi e dashuri për 2019!
Qoftë një vit i bukur, me dashuri e ngjyra në jetën e shqiptarëve.
Një vit i ri me qëllime dhe ndryshime të mëdha që të dëshmojë se të gjithë shqiptarët meritojnë të jetojnë më mirë se ky vit që lamë pas”, – përfundon urimi i Kryemadhit. /noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd