Transmetuar më 30-12-2018, 10:58

“Festa të trishta, që nuk i meritojmë!!! Gjithkund trishtimi e ka bërë të vetën. As festat nuk i kurseu”.

Kështu shkruan kreu i grupit parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili.

Ai shton se Viti i Ri mbetet kryefesta e shqiptarëve dhe se përgjithmonë ka qenë momenti kur problemet shtyheshin mënjanë për tu harruar disa çaste e për të mos u pare për disa të tjera.

Dhe shqiptarët ja kanë dalë thotë ai, që ti kenë këto pak çaste harrese e shkujdesje, por se këtë vit shqiptarët për herë të parë nuk ja dolën dot.

“Trishtimi, që kumtohej prej mijëra të rinjve studentë të zëshëm në rrugë e sheshe, por edhe i mijëra të tjerëve te pazëshëm nëpër shtëpi, klube të varfra lagjesh, fshatrash e qytetesh, na kaploi të gjithëve. Trishtim, që e mbyt buzëqeshjen e cila i shtrëngon buzët dhe një ngërdheshje e egër shfaqet gjithkund”, shkruan Vasili.

Ai vijon duke thënë se fajtorët e trishtimit janë përpara nesh me ngërdheshjen e të nginjurit e të arrogantit, të lumtur se ua kanë rrëmbyer buzëqeshjen të tjerëve.

Sipas tij, fajtorët janë aty edhe kryefajtori aty është, të zhytur në rehatinë, që kamja ua jep.

E ndërkohë thotë Vasili, mijëra të tjerë trishtueshëm ngarendin me qeska gjysëm të boshatisura prej pamundit të varfërisë, që ta vjedh buzëqeshjen e dhimbjen ta jep të shumtë e të hidhur.

“Njerëz!! Buzëqeshjen e vjedhur ne duhet ta rimarrim për veten e të tjerët.

Damka e dënimit s’do mund të vonojë për të ngërdheshurit e nginjur të kolltukëve erëkëqinj të qeverisë. Dhe koha ka ardhur!! Dhe trishtimi i festës do të davaritet!! Dhe gëzimi i fitores së të mirës do të jetë mes nesh!!”, thotë ndër të tjera Petrit Vasili. /a.y/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd