Transmetuar më 29-12-2018, 07:09

Kryeministri Edi Rama njoftoi ndryshime të thella në kabinetin e tij qeveritar. Më shumë se gjysma e ministrave aktualë do të largohen. Ndryshimet vijnë pas një tronditje që qeveria e zotit Rama ndjeu me protestën e studentëve, e cila siç tha ai duhet të shërbejë si reflektim

“Kjo protestë na ka dhënë diçka që ne duhet ta ruajmë dhe ushqejmë brenda vetes, frymën e reagimit me pakënaqësi të plotë ndaj vetes, në çdo aspekt. Unë ju ftoj të gjithëve që edhe ndryshimin e qeverisë ta shikoni si pjesë të një reflektimi dhe të një kapërcimi të domosdoshëm, për ta kthyer këtë mandat në mandatin e rezultateve që do të na çojnë në fitoren e mandatit të tretë”, deklaroi Rama në mbledhjen e Asamblesë Partisë socialiste, para se të njoftonte lëvizjet në kabinetin e tij.

Me vendimin e të premtes, kabinetin qeveritar e lënë emra të rëndësishëm të tij, mes tyre dy superministrat Arben Ahmetaj dhe Damian Gjiknuri, të cilët pas zgjedhjeve të 2017, morën kompetenca shumë të gjera.

Në vend të tyre janë emëruar Anila Denaj, drejtoreshë aktuale e Fondit të Shërbimit Kombëtar Shëndetësor dhe Belinda Balluku, Drejtoresha aktuale e Aviacionit Civil.

E papritur lëvizja e Ministrit të Jashtëm Ditmir Bushati, në një kohë kur diplomacia gjendet përpara sfidave të rëndësishme, që nga ajo e integrimit europian, te drejtimi i OSBE-së në vitin 2020, ndërkohë që duke nisur nga viti i ardhshëm vendi do të jetë pjesë e Trojkës së kësaj organizate, e deri te procesi i dialogut që është hapur me Greqinë për trajtimin e një sërë çështjesh të mbetura pezull, përfshirë të ashtuquajturën Marrëveshje e Detit. Lëvizja e tij u motivua me kriterin e të qenit 5 vjet në kabinetin qeverisës.

Në vend të zotit Bushati, është emëruar zëvendës ministri aktual, Gent Cakaj, 28 vjeç, nga Kosova.

Jashtë qeverisë është zëvendëskryeministrja aktuale Senida Mesi. Në vend të saj vjen një prej emrave të spikatur të Partisë Socialiste, Erion Braçe, aktualisht kryetar i Komisionit Parlamentar të Ekonomisë dhe Financave.

Në postin e Ministres së Arsimit, Besa Shahini, zëvendës Ministre aktuale e këtij dikasteri dhe që do të pasojë Lindita Nikollën. Ndër lëvizjet e tjera është dhe ajo e Ministres së Kulturës Mirela Kumbaro, që do të zëvendësohet nga Elva Margariti; e Ministrit të Bujqësisë Niko Peleshi, që do të zëvendësohet nga një tjetër emër i njohur Bledi Çuçi, i rikthyer në kabinet.

Një tjetër rikthim është dhe ai i Eduard Shalsit, i cili pason Sonila Qaton në postin e Ministrit të Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes.

Kryeministri Rama riktheu gjithashtu funksionin e Ministrit për Marrëdhëniet me Parlamentin, duke emëruar Elisa Spiropalin.

Meta, skeptik për emrat e rinj

Për presidentin Ilir Meta, më shumë se emrat “është thelbësore të ndryshojë filozofia e qeverisjes, e cila duhet të jetë një filozofi bashkëpunuese. Bashkëpunuese me opozitën, bashkëpunuese me grupet e interesit, për bërjen e ligjeve më të mira dhe zbatimin e tyre. Bashkëpunuese me institucionet e pavarura, sepse kjo do të na ndihmojë që të jemi edhe më reflektues për të sjellë ato ndryshime, për të cilat në radhë të parë kanë nevojë njerëzit më në vështirësi, kanë nevojë një pjesë e madhe e shqiptarëve për të dalë nga pragu i varfërisë në të cilin ndodhen sot”.

Basha: Tallje me shqiptarët

Kryetari i Partisë demokratike Lulzim Basha e quajti vendimin e sotëm një tallje me shqiptarët. “Ministrat e larguar janë njerëz të korruptuar dhe të inkriminuar. Largimi i tyre nuk mjafton, ata duhet të dalin para drejtësisë. Ajo që i ka ofruar shqiptarëve është një përzierje njerëzish të paaftë, anonimë dhe disa, madje, thellësisht të korruptuar. Por roli i këtyre njerëzve nuk është gjë tjetër veçse të shërbejnë si fasada e qeverisjes së Edi Ramës me oligarkët dhe me krimin, me përfaqësuesit e krimit të organizuar”, deklaroi zoti Basha.

Kryemadhi: Duhet të ikë Rama

Ndërsa për kryetaren e LSI-së Monika Kryemadhi, është vetë kryeministri që duhet të largohet. “Ky nuk është një ndryshim qeverie që mundohet të shpjegojë Edi Rama, por kjo është një rënie e qeverisë, e cila ra si rezultat i skandaleve korruptive të qeverisë së Edi Ramës. Qeveria jote ra, ra z.Rama, por tani duhet të biesh edhe ti, sepse duke rënë dhe ti, shqiptarët do të kenë shanset dhe mundësitë për të pasur një jetë më të mire”, u shpreh zonja Kryemadhi.

Në lëvizjet e sotme mbeten të paqarta kriteret e përzgjedhjes së ministrave që u larguan. Zoti Rama tha se po linin kabinetin ata që kishin 5 vjet në qeverisje, por jo të gjithë përfshiheshin në këtë kriter. Ndërkohë lëvdatat që ai nuk kurseu për ata që po largohen e mjegullojnë dhe me shumë vendimin e tij.