Transmetuar më 28-12-2018, 10:14

Në nisje të mbledhjes së Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste, Kryeministri Edi Rama tha se ky është një takim i pazakontë në një kohë të pazakontë të vitit për mbledhje partie.

Por ai tha se PS, ka përgjegjësi që të kujdeset për Shqipërinë dhe shqiptarët.

Sipas tij mundësi të jashtëzakonshme ka dhënë dhe protesta e studentëve, në emër të një jete më të mirë universitare por edhe në emër të besimit të kësaj mazhorance.

“Përtej halleve të çdo familje, vështirësive studentore, kushteve në konvikte, indiferencës së politikës, pjesa më e madhe e atyre djemve dhe vajzave shihnin dhe shohin në drejtimi tonë sepse jemi për ta mundësia e vetme për zgjidhjen e kërkesave të tyre. Ata na dhanë një shuplakë që mua më përvëlon si ditën e parë dhe unë zgjodha që t’iu ktheja faqen tjetër. Jo sepse kanë të drejtë në mënyrën si e kërkojnë. U ktheva faqen tjetër sepse në thelb përtej formave të shfaqjes ata kanë të drejtën të jenë të acaruar me ne sepse nga ne presin gjithçka, ndërsa nga të tjerët jo vetëm nuk presin asgjë por i kanë sikterisur, duke i përçmuar publikisht”, u shpreh Rama.

Ai tha se secili prej studentëve mund të ishte fëmija i tij i lindur pas rënies së komunizmit dhe se ky brez është pasqyra më besnike e politikës së bërë për çerek shekulli dhe i politikës së bërë për të marrë dhe mbajtur pushtetin pa punuar për të ndërtuar shtetin.

Sipas Ramës, ky brez pëson sot reformat që nuk u bënë kur ata vinin në jetë dhe se politika mendoi për vezën e vetë sot dhe jo për pulën e të gjithëve nesër.

Në këtë drejtim shtoi se ky brez vuan sëmundjet e tranzicionit. /a.y/noa.al